Partia Demokratike e Kosovës i është drejtuar ushtrueses së detyrës së presidentes, Albulena Haxhiu, me një kërkesë zyrtare për procedimin e emërimit të anëtarit të dytë të kësaj partie në Komisionin Qendror të Zgjedhjeve.
Në kërkesë theksohet se çështja e përbërjes së KQZ-së ka mbetur e papërfunduar gjatë mandatit të ish-presidentes, Vjosa Osmani.
Sipas PDK-së, përfaqësimi i saj me dy anëtarë në këtë institucion nuk është çështje interpretimi politik, por një e drejtë që rrjedh nga dispozitat kushtetuese.
Në letrën drejtuar presidentes në detyrë, kjo parti ka theksuar rëndësinë e respektimit të praktikës së deritanishme institucionale, duke shtuar se ka qenë e përfaqësuar me dy anëtarë në KQZ.
PDK ka insistuar se me këtë veprim ruhet parimi i barazisë dhe balancës mes subjekteve politike.
“Duke iu referuar nenit 139, paragrafi 4 të Kushtetutës së Kosovës, PDK argumenton se shpërndarja e vendeve në KQZ duhet të bazohet në përfaqësimin e grupeve parlamentare në Kuvend. Në kushtet aktuale me katër grupe parlamentare, PDK-ja konsideron se secili grup duhet të ketë nga një përfaqësues në raundin e parë, ndërsa vendet e mbetura duhet të ndahen sipas madhësisë së grupeve, duke siguruar kështu përfaqësim proporcional.”, thuhet në kërkesë.






















