Ekspozita skandaloze e Shkëlzen Gashit ka bërë bujë të madhe.

Shumë persona kanë reaguar mbi këtë ekspozitë skandaloze që shtrembëroi faktet mbi masakrat që ndodhën në Kosovë gjatë viteve 1998-1999 nga forcat serbe.

Kjo ekspozitë ishte financuar nga Kuvendi i Kosovës. Shumica e personaliteteve që kanë reaguar thanë se kjo ekspozitë i shkon karshi narrativës serbe.

Avokati Ardian Bajraktari  ka thënë  se narrativa të tilla si kjo e ekspozitës së Gashit nuk duhet të kenë vend në sheshet e Kosovës.

Tutje, avokati i njohur u shpreh se është e arsyeshme që Prokuroria të aktivizohet në këtë rast. Ai shtoi se duhet të bëhet vlerësimi se nëse ekzistojnë elemente të veprës penale të nxitjes së përçarjes.

“Qasjet përmes të cilave tentohet të relativizohet lufta si vlerë sublime e jona dhe të deformohet realiteti historik nuk mund dhe nuk duhet të tolerohen. Në këtë kontekst, është e arsyeshme që Prokuroria të fillojë punën e saj në drejtim të grumbullimit të informatave dhe vlerësimit nëse ekzistojnë elementet e veprës penale, me shumë gjasë “Nxitja e përçarjes dhe mosdurimit”, e paraparë me nenin 141 të Kodit Penal.”, u shpreh ai.

Bajraktari në fund tha se për këtë vepër penale, Kodi parasheh dënim me gjobë ose burgim deri në pesë vjet.

“Thelbi i kësaj vepre penale qëndron në ndalimin e nxitjes apo përhapjes publike të urrejtjes, përçarjes ose mosdurimit ndërmjet grupeve kombëtare, racore, fetare, etnike apo grupeve të tjera të përcaktuara mbi bazën e karakteristikave personale. Për këtë vepër, Kodi parasheh dënim me gjobë ose me burgim deri në pesë vjet.”, tha ai.

Related Posts