Të paktën 800 banesa të përmbytura dhe 304 persona të evakuuar. Ky është bilanci paraprak i përmbytjeve në Durrës.

Një ditë pas reshjeve të dendura të shiut, situata në Durrës duket më e qetë, por mbetet problematike gjendja në disa zona të qytetit, kryesisht në periferi. Sipas të dhënave paraprake nga shtabi i emergjencave në prefekturë, rreth 800 banesa janë përmbytur, kryesisht në zonat më të ulëta dhe më problematike, si ish-Këneta, Spitalla, Nishtulla dhe zona të tjera. Edhe në burgun e Durrësit situata mbetet problematike. Oborri dhe kati i parë i godinës ka prani të lartë uji.

Mësimi nuk po zhvillohet as sot në disa shkolla oborret e të cilave janë nën ujë.

Deri mbrëmjen e kaluar janë evakuuar 304 persona, ndërsa numri i të prekurve mund të rritet, në varësi të situatës në terren dhe verifikimeve.  Ndërkohë, uji është tërhequr nga rrugët kryesore dhe nga autostrada Durrës-Tiranë, duke normalizuar qarkullimin, por në disa lagje vijon prania e ujit dhe nevoja për ndërhyrje emergjente për banorët e izoluar që nuk ia dalin dot pa ndihmë, shkruan TopChannel.

Banesa, biznese, studio artistësh, sipërfaqe të tëra tokash u përmbytën; dhjetra automjete u dëmtuan nga uji si rezultat i situatës së krijuar nga  reshjet e dendura të shiut dhe mosfuksionimit normal të rrjetit të kanalizimeve.

Related Posts