Shefi i të ashtuquajturës Zyra Serbe për Kosovën, Petar Petkoviq i është ndaluar hyrja në Kosovë.
Ai ishte paraparë që të qëndrojë në Kosovë sot dhe nesër.
Sipas njoftimit të Zyrës Serbe për Kosovën,Petkoviq ishte paraparë të të vizitojë disa subjekte afariste ku shteti i Serbisë ka siguruar vende të reja pune, si dhe të vizitojë disa familje në gjendje të rënd sociale dhe tu ofrojë ndihmë.
“Kjo është ndalimi i tretë i Prishtinës për drejtorin e Zyrës për Kosovën dhe … dhe negociatorin kryesor serb në dialogun teknik, dhe vjen përpara vazhdimit të dialogut midis Beogradit dhe Prishtinës javën e ardhshme në Bruksel, gjë që tregon gjithashtu edhe mosgatishmërinë e Prishtinës për normalizimi i marrëdhënieve me Beogradin”, thuhet në njoftimin e zyrës.
Tutje në njoftim bëhet e ditur se kjo do të jetë temë në takimin e javës së ardhshme në kuadër të dialogut Kosovë-Serbi.
“Është shkelje flagrante e marrëveshjes për lirinë e lëvizjes dhe marrëveshjes për vizitat e zyrtarëve. Ky ndalim dhe sjellje ilegale e Prishtinës sigurisht që do të jetë tema e bisedimeve të ardhshme në Bruksel, veçanërisht duke pasur parasysh se vizita u njoftua me kohë dhe në përputhje me marrëveshjen”, thuhet tutje aty.
KALLXO.com ka dërguar pyetje në Ministrinë e Punëve të Jashtme dhe Diasporës (MPJD) për të kuptuar arsyen e kësaj ndalese, mirëpo deri në publikimin e këtij teksti nuk ka marrë përgjigje.
Takimi i radhës Kosovë-Serbi nën ndërmjetësimin e Bashkimit Evropian, pritet të zhvillohet gjatë javës së ardhshme në Bruksel.
Kosova dhe Serbia me ndërmjetësimin e Bashkimit Evropian zhvillojnë takime në dy nivele, atë të grupeve negociatore të cilat i udhëheqin,Besnik Bislimi dhe Petar Petkoviq, dhe takimet në nivel të udhëheqësve të vendeve, përkatësisht kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti dhe presidentit të Serbisë, Aleksandar Vuçiq.