Kur marsi i jep dorën prillit, shqiptarët përgatiten për një mot të çuditshëm. Ndonëse pranvera ka mbërritur, një periudhë e shkurtër e acartë vjen si një kujtesë se dimri ende nuk është larguar plotësisht. Kjo periudhë njihet në traditën popullore si “Plakat e Marsit” ose “Plakat e Prillit”, dhe ajo rrëfehet përmes një legjende të njohur në mbarë trevat shqiptare.

Një Këngë që Zemëroi Marsin

Sipas gojëdhënës, dikur, në kohë të lashta, disa plaka vendosën të sfidonin dimrin. Ato morën leshin e bagëtive dhe u ngjitën në mal për ta tjerrë, duke shijuar diellin e parë pranveror. E bindur se stina e ftohtë kishte marrë fund, njëra prej tyre i këndoi me tallje muajit mars:

“Tani unë do t’i kullos për qejf bagëtitë, të dh’… fsha dimrin!”

Me këtë fjalë, ajo shpalli triumfin e saj ndaj dimrit, duke i uruar lamtumirë dhe duke e sfiduar hapur fuqinë e tij.

Por marsi, i zemëruar nga fyerja, vendosi të hakmerrej. Ai iu drejtua prillit dhe i kërkoi tri ditë hua:

“Prill o im vëlla, më jep tri ditë hua, ta ngrij plakën me gjithçka ka!”

Prilli ia dha ato tri ditë dhe marsi i shndërroi në ditët më të ftohta të vitit. Një stuhi e egër goditi malet dhe të gjitha plakat, bashkë me bagëtitë e tyre, u ngrinë për vdekje. Legjenda thotë se ato u kthyen në gurë dhe sot, në malin e Tomorrit, mund të gjendet një shkëmb me formën e një plake, nga i cili buron ujë që besohet të jenë “lotët e plakës”.

Plakat e Prillit në Ditët e Sotme

Edhe sot, kur në fund të marsit apo fillim të prillit moti përkeqësohet papritur, të moshuarit shpesh thonë: “Janë plakat!”. Kjo shprehje është trashëguar brez pas brezi, duke i mbajtur gjallë besimet e vjetra popullore.

Nëse këto ditë do të jenë vërtetë të ftohta këtë vit, askush nuk e di me siguri. Por një gjë është e sigurt: legjenda e plakave të prillit vijon të mbetet një pjesë e bukur dhe e gjallë e folklorit shqiptar.

Related Posts