KQZ ka dhënë detajet rreth votimit që po zhvillohet sot në 29 përfaqësi diplomatike të Republikës së Kosovës.
Në 16 ambasada dhe 13 konsullata janë regjistruar për të votuar 19 mijë e 187 shtetas të Kosovës.
KQZ ka dhënë edhe detaje për të gjitha qendrat e votimit se kur do të mbyllen për shkak të dallimit të zonave kohore.
Njoftimi i plotë:
Pas një procesi përgatitor prej disa javësh, sot, në 29 përfaqësitë diplomatike të Republikës së Kosovës është duke u mundësuar votimit për shtetasit e vendit tonë.
Gjatë ditës së sotme, 19,187 shtetasit e Kosovës që u regjistruan paraprakisht për të votuar fizikisht në ndonjërën nga 16 ambasadat dhe 13 konsullatat e Republikës së Kosovës, kanë të drejtë të votojnë.
Në orën 17:00, sipas kohës lokale në Kosovë, do të përfundojë votimi në konsullatën e Stambollit, ndërkaq, në orën 19:00 qendrat e votimit do të mbyllen në shtetet tjera, si: Gjermani, Zvicër, Francë, Belgjikë, Norvegji, Austri, Suedi, Slloveni, Danimarkë, Itali, Kroaci, Holandë, Republikë Çeke dhe Hungari.
Në orën 20:00 votimi do të përfundojë në ambasadën e Kosovës në Londër, ndërkaq në orën 01:00 të ditës tjetër, gjithnjë sipas kohës lokale në vendin tonë, procesi i votimit do të përfundojë në 4 përfaqësitë diplomatike në ShBA dhe Kanada.
























