Dhuna policore, e cila u intensifikua u bë temë aktuale së fundmi në Shqipëri, ka shpërthyer e eskaluar edhe në Mitrovicë.
Një 19 vjeçar me iniciale Sh.B është përgjakur pasi i janë shkaktuar plagë e të çara në kokë nga një zyrtar policor sot në Mitrovicë, tek Liqeni Akumulues.
E gjithë ngjarja ndodhi kur sot rreth orës 5:00 (mëngjes i hershëm), 4 djem vushtrrias ishin ndalur nga 2 zyrtarë policorë tek Liqeni Akumulues në Mitrovicë dhe ishin udhëzuar të shkojnë në shtëpi pasi akoma ishte “ora policore”.
4 të rinjtë, që kishin kaluar natën pranë një zjarri tek ky liqen, meqë nuk kishin gjetur transport për kthim në shtëpi pas orës 19:00, thonë se kishin dëgjuar udhëzimet e policëve dhe ishin nisur të ktheheshin.
Por menjëherë pas kësaj, sipas tyre, njëri nga zyrtarët ka filluar të ushtrojë dhunë fizike mbi ta. Viktima që u përgjak thotë se iu bind policit, por pavarësisht kësaj ai e goditi.
“Ne e kemi fikur zjarrin dhe jemi nisur për shtëpi dhe me pas kemi kaluar rreth 20 m, njëri prej tyre ka kërkuar që të vrapojmë. Menjëherë pas kësaj, ka filluar të na godas, ashtu që fillimisht njërin prej shokëve të mij e ka goditur me shkelm në shpinë, tjetrin në këmbë, pastaj ka nxjerr shufrën metalike dhe më ka goditur në këmbën e majtë, pastaj dorën e majtë dhe derisa ishte duke më goditur, i kam thënë mos më godit, e pas kësaj, ka vazhduar me goditje disa herë në kokë, me shufër metalike, me ç’rast më ka shkaktuar plagë dhe ka filluar gjakderdhja.”, ka thënë Sh.B për.
Djali thotë se, ndonëse i gjakosur, Policia e la ashtu në rrugë. Ai thotë se ka shkuar vetë në emergjencë dhe pastaj është shoqëruar në Stacion nga i njëjti polic që pretendohet se e kishte rrahur, ku është mbajtur deri në ora 12:00.