Një zjarr ka shpërthyer sot në Qendrën Tregtare në Bregun e Diellit.
Lidhur me rastin ka folur edhe zëdhënësja e policisë për rajonin e Prishtinës, Flora Ahmeti.
Ahmeti tha se nuk raportohet për ndonjë person të lënduar.
“Sot rreth orës 17:00, kemi pranuar informatën për një zjarr në një objekt në lagjen Bregu i Diellit në Prishtinë.Në vendngjarje kanë dalë zjarrfikësit dhe policia të cilët janë duke u marrë me rastin. Nuk raportohet për persona të lënduar”, deklaroi ajo.
Lidhur me këtë incident, për Klankosova.tv detaje ka dhënë komandanti i Brigadës së Zjarrfikësve, Malë Gashi.
Gashi tha se zjarrfikësit kanë intervenuar menjëherë.
“Janë djegur disa plastika, në hyrjen e tretë të Qendrës Tregtare. Dëmi ka qenë aq sa ka mbërritur ekipi i zjarrfikësve”, deklaroi ai.
Ai theksoi se nuk dihet se nga çka është shkaktuar ky zjarr.
“Vlerësimi do të bëhet nga inspektorët e zjarrit”, theksoi Gashi.