Policia Rajonale e Ferizajt ka marrë masa të shtuara për parandalimin dhe menaxhimin e rasteve të zjarreve, pas disa incidenteve të raportuara javën e kaluar në Ferizaj, Kaçanik, Shtërpcë, Shtime dhe Han të Elezit.
Sipas autoriteteve, aktualisht nuk ka vatra aktive, por qytetarët duhet të tregojnë kujdes maksimal dhe të shmangin djegien e hapësirave fushore dhe pyjeve, pasi kjo mund të sjellë pasoja të rënda. Policia ka paralajmëruar masa të rrepta ndaj atyre që shkaktojnë zjarrvënie, qoftë me qëllim apo nga pakujdesia, duke theksuar se të gjithë përgjegjësit do të ndiqen penalisht.
Si të raportoni rastet e zjarrvënies?
Policia fton qytetarët që të bashkëpunojnë duke raportuar çdo rast të dyshimtë të zjarrvënies në numrat:
📞 192
📞 0290/326-250
📞 0290/322-406
Po ashtu, informacionet mund të dërgohen edhe përmes aplikacionit digjital “Lajmëro Policinë”, duke garantuar konfidencialitet të plotë për raportuesit.
Autoritetet mbeten të angazhuara për sigurinë e qytetarëve dhe parandalimin e çdo rreziku që mund të cenojë jetën dhe pronën.