Policia e Kosovës ka arrestuar sot dy zyrtarë shtetërorë, një polic dhe një doganier, të dyshuar për marrje të ryshfetit.
Dy zyrtarët e dyshuar janë arrestuar në pikën kufitare Hani i Elezit.
Ata janë ndaluar për 48-orë me aktvendim të prokurorit.
“Prokuroria Themelore në Ferizaj, Departamenti për Krime të Rënda, njofton opinionin publik se me vendim të Prokurorit të Shtetit, ka ndaluar në kohëzgjatje prej 48-orësh, dy (2) persona të dyshuar, një (1) zyrtar policor dhe një zyrtar doganor, në pikën kufitare Hani i Elezit”, tha Prokuroria e Ferizajt në një njoftim për media.
Prokuroria Themelore në Ferizaj tha se ndaj të dyshuarve të lartëcekur do të vazhdojë me procedura të mëtejme hetimore.