Policia e Kosovës arreston tre të dyshuar për veprën penale lëshimi i çeqeve pa mbulesë ose të rremë dhe keqpërdorimi i kartelave të bankës apo të kreditit
Prishtinë, më 20 shkurt 2025
Policia e Kosovës respektivisht Drejtoria e Hetimit të Krimeve Kibernetike, pas veprimeve hetimore në bashkërendim me Prokurorinë e Shtetit si dhe me mbështetjen e njësive tjera relevante policore, ka zhvilluar kontrolle në 3 lokacione të ndryshme në Prishtinë të cilat kanë rezultuar me arrestimin e tre (3) personave të dyshuar.
Lidhur me rastin personat e dyshuar nga të cilët dy shtetas turk dhe një i Maqedonisë së Veriut dyshohet se me qëllim të përfitimit të kundërligjshëm të dobisë pasurore për vete apo personin tjetër, kanë keqpërdorur kartela bankare të shtetasve të huaj dhe POS terminale të bankave vendore, dhe me këtë rast të njëjtit kanë konsumuar veprën penale ‘Lëshimi i çeqeve pa mbulesë ose të rremë dhe keqpërdorimi i kartelave të bankës apo të kreditit’.
Në lidhje me rastin në cilësi të provave materiale janë gjetur dhe sekuestruar:
– POS terminale;
– Kartela bankare;
– Kartelë bankare e modifikuar;
– Para të gatshme;
– SIM kartela;
– Vula me mbishkrime të bizneseve;
– Kompjuter;
– Telefona mobil;
– Si dhe dokumente relevante (fatura, kupona fiskal, etj.) që ndërlidhen me veprën penale.
Me vendim të prokurorit kompetent, tre të dyshuarit janë arrestuar dhe të njëjtit ndalohen për 48 orë, derisa rasti ndodhet në proces të mëtutjeshëm hetimor.