Drejtoria Rajonale e Policisë në Pejë ka apeluar sot për kujdes të shtuar nga qytetarët, pas parashikimeve për temperatura të larta që do të rrisin rrezikun e zjarreve në rajon/

Policia ka kërkuar që të gjithë qytetarët të jenë të vëmendshëm dhe të shmangin çdo veprim që mund të shkaktojë zjarr, duke pasur parasysh përvojat nga vitet e kaluara.

Në një njoftim të shpërndarë për mediat, Policia e Kosovës ka theksuar se çdo person që do të jetë i përfshirë në raste të zjarrvënieve, qoftë qëllimisht ose përmes pakujdesisë, do të përballet me masa ligjore.

“Policia e Kosovës kërkon nga të gjithë qytetarët që të jenë të kujdesshëm, të shmangin ndezjen e zjarreve dhe të raportojnë çdo person të dyshuar që mund të jetë i përfshirë në raste të tilla të zjarrvënieve,” thuhet në njoftimin e Policisë.

Për më tepër, Policia ka apeluar që të shmanget çdo aktivitet që mund të shkaktojë zjarr, si përdorimi i shkrepsave, cigareve, grilla dhe ndezja e zjarreve në natyrë.

“Apelojmë tё tё gjithё qytetarët tё rajonit tё Pejës, qё maksimalisht tё jenë tё kujdesshëm nё çdo aktivitet qё mund të shkaktojë zjarre,” tha Policia.

Related Posts