Policia ka njoftuar se nata e Vitit të Ri ka kaluar me disa raportime për incidente që lidhen me pjesën e festimeve.
Sipas një njoftimi të policisë, nga disa rajone të vendit janë raportuar incidente me lëndime trupore si pasojë e përdorimit të mjeteve piroteknike si dhe raste të lëndimeve të lehta nga armë zjarri.
“Bazuar në raportimet e pranuara nga Drejtoritë Rajonale Policore, nata e vitit të ri, ndërrimi i mot-moteve, ka kaluar me disa raportime për incidente që lidhen me pjesën e festimeve. Nga disa rajone të vendit janë raportuar incidente me lëndime trupore si pasojë e përdorimit të pa kujdesshëm të mjeteve piro-teknike, raste të lëndimeve të lehta nga armë zjarri dhe dëme materiale si pasojë e përdorimit të pakujdesshëm të mjeteve piroteknike (zjarre)”.
“Policia i ka iniciuar dhe do të vazhdojë t’i trajtojë të gjitha ato raste qofshin vepra penale apo incidente tjera dhe rastet në koordinim me prokurorit kompetente do të përcillen te organet e drejtësisë”, thuhet në njoftim.
Gjithashtu bëhet e ditur se në kuadër të planit operativ për festat, forcat e rendit kanë shtuar mbikëqyrjen në ambientet ku pritej të ketë prezencë më të madhe të qytetarëve, pikëkalimet kufitare, aeroportit ndërkombëtar dhe brezit kufitar në përgjithësi.






























