Klina u trondit mbrëmë nga një vrasje që ndodhi rreth kohës së iftarit. Një person mbeti i vdekur dhe dy të tjerë u plagosën nga të shtënat me armë që ndodhën rreth orës 20:43 minuta.
Viktima raportohet se është një 23 vjeçar, ndërkaq të plagosur kanë mbetur edhe dy vëllezërit e tij.
Ata raportohet se kishin dalë për iftar me familje në një restorant, në parkingun e të cilit edhe ndodhi rasti tragjik, detaje këto që nuk janë konfirmuar ende nga autoritetet.
I vrari është djali i dëshmorit të UÇK-së, Fazli Hoxha, i vrarë para 23 vitesh, emrin e të cilit e ka trashëguar edhe djali. Këtë e kanë bërë të ditur familjarët e të ndjerit në disa postime në rrjete sociale ku janë shprehur të thyer me humbjen e tyre.
“Para 23 vitev Baci Fazli dha jetën për këtë popull dhe këtë atdhe, qe gjenerata e ardhshme te jetojnë te lirë dhe pa frikë.
Mbas vrasjes se Bacit Fazli pas disa muajsh u rikthye buzëqeshja ne familjen Hoxhaj (lindi nje djalë qe e pagëzuan me emrin e babait te vrarë ne masakren e Gullbocit).
Por baci Fazli nuk e dha jetën qe sot pas 23 viteve ti vritet djali ne pabesi nga dora e shqiptarit”, shkruan një nga ta.
Për rastin deri tash janë arrestuar tre persona, derisa dy të tjerë janë shoqëruar në Stacionin e Policisë.