Njësia Speciale Operative (NJSO) e Policisë së Kosovës po monitoron nga afër punishten ku po ndërtohen dy ura të reja mbi lumin Ibër.
Zëvendësdrejtori i Policisë në Mitrovicë të Veriut, Veton Elshani, në një prononcim për Telegrafin bëri me dije se pjesëtarët e NJSO-së janë të angazhuar për të garantuar sigurinë e përgjithshme në këtë zonë.
“Për sigurinë e përgjithshme”, u shpreh shkurt Elshani.
Ndërkaq, sot zëvendësministri i Infrastrukturës në detyrë, Hysen Durmishi tha se sot është duke u shtruar shtresa e asfaltit mbi urë, ndërsa nesër planifikohet vendosja e sinjalistikës.
Durmishi, në një prononcim tha se po presin raportin preliminar të testimeve të urës për të siguruar që ajo është gati për përdorim.
“Jemi duke punuar intensivisht, sot po bëhet shtresa e asfaltit, nesër do të vendoset sinjalistika dhe po presim raportin preliminar të testimeve”, tha Durmishi.
I pyetur nëse pritet që ura të hapet në fillim të shtatorit, ai u shpreh me optimizëm: “Gjithsesi në fillim të shtatorit”.
Ndryshe, gurthemeli i dy urave mbi lumin Ibër është vendosur në fillim të muajit korrik, në prezencën e kryeministrit në detyrë, Albin Kurti.
Ndërtimi i këtyre urave është pjesë e një projekti më të gjerë infrastruktural që synon përmirësimin e lidhjeve ndërmjet Mitrovicës së Veriut dhe asaj të Jugut.