Presidentja e vendit, Vjosa Osmani, pritet që në ditët në vijim të zhvillojë konsultime me përfaqësuesit e partive politike, ku do të bëjë thirrje për arritjen e një kompromisi politik.
Lajmin e ka konfirmuar për Indeksonline, këshilltari për media i presidentes, Bekim Kupina, i cili tha se gjatë këtyre konsultimeve do të theksohet rëndësia e miratimit të buxhetit për vitin 2026 dhe e Planit të Rritjes.
Ai ka shtuar se Presidentja Osmani, në konsultat që do t’i zhvillojë me partitë politike, do ta potencoj rëndësinë e miratimit të Buxhetit për vitin 2026 si dhe miratimin e Planit të Rritjes, si akte të domosdoshme për stabilitetin institucional dhe funksionimin normal të shtetit si dhe për zhvillimin ekonomik të vendit tonë.
“Presidentja do të bëjë thirrje për një kompromis politik, nëpërmjet të cilit do të garantohet interesi i Kosovës dhe i qytetarëve të saj, si dhe të sigurohet rruga përpara për avancimin e vendit. Në këtë kuadër, Presidentja do t’i inkurajojë partitë politike të bashkëpunojnë për ta shmangur çdo bllokadë që mund të ndikojë negativisht në mirëqenien e qytetarëve dhe në funksionimin e institucioneve të Republikës së Kosovës.”, tha Kupina.

























