Një vit e gjysmë pasi shkeli për herë të parë tokën shqiptare, në të parën vizitë të një presidenti francez në Shqipëri, Emmanuel Macron rikthehet sërish.

Vizita zyrtare e Macronit do të jetë në mes të muajit maj, në ditët kur në Tiranë zhvillohet edhe Samiti i komunitetit Politik Evropian, e që do të zbresë në kryeqytetin shqiptar liderët më të rëndësishëm të Evropës.

Për Ministrin e Jashtëm Igli Hasanin kjo vizitë është dëshmi e forcimit të marrëdhënieve mes të vendeve, sidomos gjatë viteve të fundit.

“Kjo vizitë parapri ndër të tjera edhe vizitën dypalëshe të Presidentit Macron në Shqipëri që do të zhvillohet në muajin maj’, tha Hasani.

Duke folur në një komunikim me mediat, në prani të ministrit francez për Evropën, Benjamin Haddad, i cili ndodhet në një vizitë dyditore në Tiranë, ndër të tjera edhe për përgatitjen e vizitës së Macronit, Hasani tha se shpreson që Franca të vijojë të jetë një aleate e fortë në rrugën e integrimit, raporton TopChanel.

Në një komunikim me ndjekësit në rrjetet sociale, Kryeministri Edi Rama ka njoftuar se për herë të parë, një kryeministër britanik, Keir Starmer, do të zhvillojë një vizitë zyrtare në Shqipëri. Kjo vizitë do të zhvillohet para Samitit të Komunitetit Politik Evropian që do të mbahet më 16 maj në Tiranë. Rama e vlerësoi këtë vizitë si shumë të rëndësishme, duke theksuar se kjo është hera e parë që një kryeministër britanik viziton Shqipërinë për një qëllim zyrtar.

“Pas një muaji, do të vijë kryeministri britanik në vizitën e tij të parë zyrtare. Asnjëherë nuk ka ardhur një kryeministër britanik për një vizitë zyrtare. Ka ardhur vetëm një herë Tony Blair për të shkuar në Kukës, ishte vizitë bilaterale”, tha Rama.

Gjithashtu, Rama ka njoftuar se presidenti francez, Emmanuel Macron, do të kthehet për herë të dytë në Shqipëri për një vizitë zyrtare në të njëjtën periudhë, kur do të zhvillohet Samiti i Komunitetit Politik Evropian.

Related Posts