Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, ka thënë se ka pritur në një tavernë në Beograd, kryetarin e Kuvendit të Malit të Zi, Andrija Mandiq, ish-presidentin e Serbisë, Tomislav Nikoliq dhe kryetaren e Kuvendit Popullor të Serbisë, Ana Brnabiq.
Vizita e Mandiq në Serbi, vjen pas rezultateve të publikuara nga regjistrimi i popullsisë në Mal të Zi.
“Jam i lumtur që arrita të sjell tre presidentë – Nikoliqin, Mandiqin dhe Anën – në tavernën në Beograd mbi ujë. Unë dhe Toma kujtojmë themelimin e SNS, i jemi mirënjohës Anës që më vonë na u bashkua dhe jemi të lumtur që mund të presim vëllain dhe mikun tonë nga Mali i Zi Andrija Mandiq.”, ka thënë Vuçiq në një postim në profilin e tij në Facebook
Në regjistrimin e fundit – rezultatet e të cilit i shpalli Drejtoria e Statistikave në Mal të Zi, MONSTAT, më 15 tetor – 41.1% e qytetarëve u deklaruan si malazezë, ndërsa 32.9% si serbë.
Krahas rritjes së numrit të serbëve, krahasuar me regjistrimin e mëparshëm, kishte rënie prej rreth 4% të atyre që e identifikojnë veten si malazezë.
Regjistrimi në Mal të Zi është më shumë çështje politike sesa statistikore, veçanërisht në pjesën që ka të bëjë me përkatësinë kombëtare dhe gjuhësore.
Që nga referendumi për pavarësi në vitin 2006, shoqëria malazeze është thellësisht e ndarë në mes të pjesës që dëshironte të mbetej bashkë me Serbinë dhe përkrahësve të Malit të Zi të pavarur.
Ky ishte regjistrimi i parë i popullsisë pas rënies nga pushteti të Partisë Demokratike të Socialistëve (DPS) të Millo Gjukanoviqit në vitin 2020.
Ajo qeverisi në këtë vend për 30 vjet.
Pushteti më pas u mor nga parti kryesisht proserbe, të udhëhequra nga Fronti Demokratik prorus.
Regjistrimit i parapriu një fushatë e forcave dhe mediave proserbe e proruse, të cilat u bënin thirrje qytetarëve që të deklaroheshin si serbë.
Fushatës iu bashkua edhe Patriarku i Kishës Ortodokse Serbe, Porfirije, i cili u bëri thirrje qytetarëve që të identifikoheshin si pjesëtarë të popullit serb dhe besimtarë të Kishës Ortodokse Serbe, që flasin gjuhën serbe.
Gjithashtu, presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, foli disa herë për rëndësinë e regjistrimit në përcaktimin e numrit të serbëve në Mal të Zi.
Edhe pse gjuha malazeze u fut si gjuhë zyrtare në Kushtetutën e Malit të Zi, pas rivendosjes së pavarësisë së tij në vitin 2006, numri më i madh i qytetarëve u deklaruan se ishin serbishtfolës.
Në regjistrimin e fundit, 43.2% e qytetarëve thanë se serbishtja është gjuha e tyre amtare, që nënkupton një rritje të lehtë prej 0.3%, në krahasim me vitin 2011. Në anën tjetër, rënie ka të numrit të atyre që e konsiderojnë gjuhën malazeze si gjuhë amtare – nga 37 në 34.5 për qind.
Beshiq thotë se numri i atyre që flasin serbisht, është më i lartë se i atyre që deklarohen si serbë. Dhe kjo me 10 për qind, sipas tij.
Ai thotë se një pjesë e popullsisë së korpusit ortodoks, që thotë se është e kombit malazez, ndihet e afërt me korpusin serb.
“Në interpretimin e tyre, ata i shohin rrënjët e tyre etnike serbe dhe deklarohen si malazezë. Me fjalë të tjera, kur thonë ‘unë jam malazez’, nuk do të thotë domosdoshmërisht se jam joserb. Nëse e shikoni historinë e Malit të Zi, është shumë e kuptueshme”, thotë Beshiq.
Serbia dhe Mali i Zi ishin pjesë e një shteti të përbashkët nga viti 1918 deri në vitin 2006.