Presidenti i Turqisë, Recep Tayyip Erdogan, ka hedhur poshtë njohjen nga Izraeli të rajonit të shkëputur të Somalilandit si një komb të pavarur.
Gjatë një vizite në Etiopi, Erdogan tha se kjo mund të jetë e rrezikshme për një rajon të paqëndrueshëm.
Në dhjetor, Izraeli u bë vendi i parë që njohu Somalilandin, i cili shpalli pavarësinë nga Somalia më shumë se 30 vjet më parë.
Ky veprim e mërziti Mogadishun, i cili ende e konsideron Somalilandin si pjesë të territorit të tij.
Etiopia pa dalje në det ende nuk ka komentuar, por planet e saj dy vjet më parë për të dhënë me qira një pjesë të vijës bregdetare të Somalilandit për të ndërtuar një port zemëruan Somalinë në atë kohë – dhe ishte Erdogan ai që ndërmjetësoi një përfundim të mosmarrëveshjes që kishte shkaktuar frikën e një konflikti më të gjerë.
Në reagim ndaj komenteve të Erdoganit, ministria e Jashtme e Somalilandit tha se Turqia, e cila vitet e fundit është bërë një lojtare e rëndësishme gjeopolitike në Bririn e Afrikës, duhet të përmbahet nga nxitja e tensioneve rajonale.
Në një konferencë të përbashkët për shtyp në Addis Ababa me kryeministrin etiopian Abiy Ahmed, Erdogan tha: “Briri i Afrikës nuk duhet të jetë fushëbeteja e forcave të huaja. Ne besojmë se vendet e rajonit duhet t’i zgjidhin vetë problemet e tyre”.
Ndërkohë, Abiy i kërkoi Turqisë të mbështesë kërkesën e Etiopisë për qasje në det, duke argumentuar se ishte e padrejtë që vendi të mbetej i mbyllur në det.
Eritrea u nda zyrtarisht nga Etiopia në vitin 1993, duke e lënë vendin pa qasje në një vijë bregdetare prej 1,350 km të Detit të Kuq.
”
Nuk është e drejtë që një vend me një popullsi prej mbi 130 milionë banorësh t’i mohohet qasja në det dhe të mbetet një i burgosur gjeografik për një kohë të gjatë për shkak të komplotit të armiqve tanë”, tha Abiy.
Që kur marrëveshja e Somalilandit dështoi në vitin 2024, Abiy ka shtyrë për pronësinë e portit jugor të Assabit të Eritresë – rreth 60 km nga kufiri i saj – dhe la të kuptohej dëshira për ta marrë atë me forcë.
Abiy tha se i kishte kërkuar Turqisë të ushtronte presion diplomatik dhe të ndihmonte në mënyrë paqësore në sigurimin e qasjes në det.
“Kemi pasur një diskutim të fortë me presidentin Erdogan për të luajtur rolin e tij në këtë drejtim. E falënderojmë për këtë”, shtoi kryeministri etiopian.
E gjithë kjo vjen në sfondin e frikës së një rikthimi në konflikt në rajonin verior Tigray të Etiopisë, i cili kufizohet me Eritrean.
Gjatë luftës së parë të Tigray, e cila shpërtheu midis viteve 2020 dhe 2022, forcat eritreane luftuan përkrah ushtrisë etiopiane kundër luftëtarëve vendas tigraianë.






























