Presidenti i Rusisë, Vladimir Putin, ka udhëhequr ceremonitë e Ditës së Fitores me një paradë në Sheshin e Kuq, duke përballuar siguri të shtuar pas disa sulmeve ukrainase që synuan kryeqytetin.

Xi Jinping i Kinës iu bashkua Putinit teksa u tha mijëra ushtarëve dhe më shumë se 20 liderëve ndërkombëtarë se Rusia kujtonte mësimet e Luftës së Dytë Botërore.

Putin e përdori fjalimin e tij për të lidhur luftën me pushtimin e sotëm në shkallë të plotë të Ukrainës dhe tha se e gjithë Rusia qëndron pas atij që ai e quajti “operacioni ushtarak special” – tashmë në vitin e katërt, shkruan BBC.

Për herë të parë, një kolonë kamionësh që mbanin dronë të ndryshëm luftarakë morën pjesë në paradën e Ditës së Fitores, me sa duket për shkak të përdorimit të tyre në shkallë të gjerë në Ukrainë.

Një armëpushim i njëanshëm treditor u njoftua nga Rusia për të përkuar me ngjarjen e 80-vjetorit, të cilën Ukraina e refuzoi si një “shfaqje teatrale”.

Kievi e ka cilësuar armëpushimin si një farsë, duke akuzuar Rusinë për kryerjen e mijëra sulmeve që kur hyri në fuqi mesnatën e së mërkurës. Rusia thotë se ka respektuar armëpushimin dhe akuzon Ukrainën për qindra shkelje.

Në orët para armëpushimit, sulmet me dron ukrainas shkaktuan mbylljen e aeroportit dhe ndërprerjen e mijëra pasagjerëve ajror në Rusi.

 

Related Posts