Në Akademinë Përkujtimore për veprën dhe jetën e ish-kryetarit të Kuvendit, Nexhat Daci, presidentja Vjosa Osmani shprehu ngushëllimet më të thella për  vdekjen e tij.

Në fjalën e saj, Osmani tha se Daci do të kujtohet si burrështetas, dijetar e intelektual i përkushtuar.

“Jemi mbledhur për të ia thënë lamtumirën akademik Nexhat Dacit, burrështetas, dijetar dhe intelektual i përkushtuar. Me dije të thellë, integritet personal dhe përkushtim të palëkundur ai i shërbeu Kosovës si kryetar Kuvendi, ushtrues detyre i Presidentit, deputet, akademik dhe drejtues i institucioneve shkencore, duke lënë gjurmë të pashlyeshme në ndërtimin e institucioneve demokratike dhe në zhvillimin e mendimit shkencor në vendin tonë”, u shpreh e para e vendit.

“Në vendin tonë ka njerëz që shfaqen në kohë të qeta, dhe ka njerëz që formësohen në kohë të vështira. Akademik Nexhat Daci i përkiste kësaj të dytës. Në periudhat më të rënda të popullit tonë, ai u rreshtua me vendosmëri në shërbim të kauzës për liri e pavarësi, duke qenë bashkëpunëtor i afërt i presidentit historik, Ibrahim Rugova në këtë kauzë”, tha ajo.

E para e vendit në përfundim të fjalës së saj tha se sot nuk po i jepet lamtumira vetëm një njeriu, por një epoke të maturisë e dijes.

“Nuk po i themi lamtumirë vetëm një njeriu, por një epoke të maturisë e dijes. U prehtë i qetë në dheun e Kosovës së lirë dhe qoftë i përjetshëm kujtimi për akademik Nexhat Daci”, përfundoi Osmani.

Related Posts