Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka uruar të gjithë nxënësit, mësimdhënësit dhe prindërit me rastin e fillimit të vitit të ri shkollor.
Përmes një mesazhi në rrjetet sociale, Osmani e cilëson 1 Shtatorin si një moment të veçantë, të mbushur me mundësi për zhvillim, dije dhe sukses.
“1 Shtatori gjithmonë sjell me vete frymën e një fillimi të ri, ku secili nxënës, mësues dhe prind ka mundësinë ta shkruajë histori të suksesit. Le të hyjmë në këtë vit shkollor me kurajo, me besim dhe me respekt për njëri-tjetrin,” ka shkruar Osmani.
Presidentja u bëri thirrje nxënësve të jenë kërkues dhe kureshtarë, ndërsa mësimdhënësve të vazhdojnë përkushtimin në edukimin e brezave të rinj.
“Urime fillimi i vitit të ri shkollor! Qoftë një vit i mbushur me dije, gëzim dhe suksese për të gjithë!”, përfundon urimin e saj presidentja.