Princi serb Filip Karagjorgjeviq thuhet se e ka telefonuar presidentin e sapozgjedhur amerikan, Donald Trump, për ta uruar atë për fitoren.
Në platformën X, ai ka bërë një sërë postimesh për të treguar për këtë bisedë, ku temë kryesore është Kosova.
Madje ai thotë se i ka kërkuar Trumpit që vendi i tij ta çnjohë Kosovën.
“Me Donald Trumpin që fitoi zgjedhjet presidenciale 2024 në ShBA, ka një potencial të ripërtërirë për një zhvendosje nga vendimet e politikës së jashtme që kanë formësuar stabilitetin global. Ndër më të rëndësishmet prej tyre është njohja e Kosovës, vendim ky që mbetet thellësisht i diskutueshëm. Një hap i guximshëm dhe parimor i Donald Trumpit duhet të jetë rishqyrtimi dhe tërheqja e kësaj njohjeje: një veprim që jo vetëm do të korrigjonte një padrejtësi historike, por gjithashtu do të forconte pozitën e Amerikës si një kampione e drejtësisë dhe e shtetit ligjor”, ka thënë ndër të tjera princi serb, Filip.