Në Gjykatën Themelore të Prishtinës ka nisur të enjten gjykimi ndaj Jusuf Shujak, i cili po akuzohet për krime lufte në Gjakovë. Gjatë fjalës hyrëse, prokurori special Ilir Morina tha se nga provat dhe dëgjimi i dëshmitarëve do të vërtetohet fajësia e të akuzuarit, ndërkaq avokati i tij, Ljubomir Pantoviq, theksoi se Shujak nuk është fajtor dhe se aktakuza e Prokurorisë Speciale është e dobët.
Sipas prokurorit Morina, pas 25 vitesh po zhvillohet ky proces për të sjellë drejtësi për familjarët e vrarë dhe të maltretuar në Gjakovë gjatë luftës në Kosovë. Ai theksoi se dëshmitarët do të përshkruajnë veprimet e të akuzuarit, të cilat, sipas tij, përmbajnë elementet e veprës penale të krimeve të luftës.
Në anën tjetër, avokati Pantoviq tha se përpos në hyrjen e aktakuzës ku përshkruhen të dhënat personale të Shujakut, në pjesët tjera nuk përmendet i mbrojturi i tij. Ai paralajmëroi se do të propozojnë dëshmitarë që, sipas mbrojtjes, do të dëshmojnë se Shujak nuk ndodhej në vendet ku Prokuroria pretendon se janë kryer krimet.
Shujak është deklaruar i pafajshëm edhe në seancën fillestare më 13 shkurt 2025. Ai akuzohet nga Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës, sipas aktakuzës së ngritur më 24 janar 2025, se gjatë viteve 1989-1999, në bashkëkryerje me pjesëtarë të forcave policore dhe ushtarake serbe, ka shkelur rregullat e së drejtës ndërkombëtare kundër civilëve. Në aktakuzë përmenden vrasje, dëbime dhe shkatërrime të pronës së civilëve shqiptarë në qytetin e Gjakovës.
Në dispozitivin e parë të aktakuzës thuhet se më 10 maj 1999, i pandehuri Shujak dhe të tjerë pjesëtarë të forcave serbe hynë në shtëpinë e familjes Dyla, ku vranë tre persona civilë dhe i detyruan pjesëtarët tjerë të familjes që të largoheshin nga shtëpia. Në dispozitivin e dytë përshkruhet dëbimi i familjes Dyla dhe bashkimi i tyre me kolonat e civilëve shqiptarë të dëbuar me dhunë nga Gjakova. Ndërsa në dispozitivin e tretë, Shujak akuzohet për plaçkitje dhe shkatërrim të pronës së familjes Dyla dhe disa shtëpive përreth, të cilat u dogjën pas plaçkitjes.
Sipas aktakuzës, me këto veprime, Shujak ngarkohet se ka kryer veprën penale “Krim lufte kundër popullatës civile”, të paraparë me nenin 142, lidhur me nenin 22 të Ligjit Penal të ish-RSFJ-së.
Në lidhje me këto krime, përmendet se pjesë e tyre ka qenë edhe Milan Radoiçiqi, i njohur si një nga figurat më të afërta me strukturat paramilitare serbe në Kosovë.
Kujtojmë se më herët janë publikuar edhe përgjime ku deputetja e VV-së, Mimoza Kusari-Lila, fliste me Radoiçiqin, i cili tashmë dyshohet të ketë marrë pjesë në krimet e luftës në Gjakovë.