Edhe sonte në disa nga pikat kufitare të Kosovës vazhdojnë pritjet e gjata në të dy drejtimet, me kolona të gjata automjetesh dhe kohë të zgjatura të pritjes për qytetarët.
Sipas të dhënave të Qendrës Kombëtare për Menaxhim Kufitar, të publikuara në orën 20:09, gjendja më e rënduar paraqitet në pikën kufitare të Dheut të Bardhë, ku në hyrje kolona arrin deri në një kilometër, me pritje deri në 50 minuta.
Ndërkaq, në dalje, kolona është rreth 600 metra, ndërsa qytetarët po presin deri në një orë e gjysmë.
Pritje të konsiderueshme janë edhe në Muçibabë, ku si në hyrje, ashtu edhe në dalje, kolona është rreth 700 metra, ndërsa koha e pritjes shkon deri në 60 minuta.
Ndërkohë, në pikën kufitare të Bërnjakut, gjendja paraqitet më e qetë. Në hyrje, kolona është vetëm 50 metra, me pritje që variojnë nga 10 deri në 15 minuta, ndërsa në dalje nuk ka kolona, dhe qytetarët po kalojnë me pritje të ngjashme.
Në të gjitha pikat e tjera kufitare, qarkullimi po zhvillohet pa pengesa të mëdha, me pritje që shkojnë nga 3 deri në 15 minuta.
Autoritetet u bëjnë thirrje udhëtarëve që të planifikojnë me kujdes udhëtimin e tyre dhe të shfrytëzojnë pikat alternative për të shmangur pritjet e gjata.