Mungesa e materialit për letërnjoftim po vazhdon të jetë një problem me të cilin po përballen qytetarët e vendit. Ashtu sikur vitin e kaluar, edhe këtë vit Ministria e Punëve të Brendshme po ballafaqohet me mungesë të materialit për të prodhuar këtë dokument.
Qytetarët thonë se ka dy muaj që po pesin për t’u pajisur me letërnjoftim të ri të Kosovës, pasi i ka skaduar letërnjoftimi i vjetër.
“Nuk ka letër për letërnjoftim në gjendjen e regjistrimit civil në Prishtinë, që dy muaj jemi në pritje me marrë letërnjoftimin por thonë se nuk kanë letër. Ata nuk tregojnë se kur do të vijnë letrat, ne kemi mbetur në pritje. Kjo është katastrofë”, ka thënë ai për Sinjalin.
Si lehtësim, Ministria e Punëve të Brendshme të Kosovës ua ka mundësuar qytetarëve që pavarësisht skadimit të afatit për këtë dokument, mund ta përdorin atë deri në 6 muaj pas skadimit.
Burime nga Ministria e Punëve të Brendshme kanë treguar se kur pritet të furnizohen me material për prodhimin e këtij dokumenti.
“Ne shpresojmë që nga fundi i muajit nëntor do të pranojmë furnizimin e radhës dhe do të kemi fillimin e normalizimit të procesit të pajisjes me letërnjoftim që nga muaji dhjetor.
Përkundër furnizimit me një sasi të materialit për letërnjoftim, ne akoma po ballafaqohemi me mungesë të materialit. Në lidhje me këtë ministri i MPB-së, ka nxjerrë vendim, përmes të cilit mundëson përdorimin e letërnjoftimit, pavarësisht afatit të vlefshmërisë, në të gjitha institucionet publike dhe private të Kosovës.
Po ashtu Agjencia e Regjistrimit Civil që nga data 5.08.2021 iu mundëson pajisjen me letërnjoftim të Kosovës çdo qytetari që paraqet dëshmi se do të udhëtojë përmes Serbisë, qoftë biletën kthyese ose dëshmi që ka hyrë në Kosovë përmes Serbisë”, thuhet në përgjigjen e MPB-së dhënë për Sinjalin.