Edhe pse pritej në rajonin francez të Shampanjës, vendosja e tarifave reciproke nga presidenti Donald Trump, i la prodhuesit të pyesin se çfarë mund të vijë më pas.

Trump shpalli të mërkurën tarifa prej 20% për importet nga Bashkimi Europian. Firma e prodhimit të shampanjës Leclerc Briant, me seli në Epernay në zemër të rajonit të Shampanjës, shet mijëra shishe në vit në Shtetet e Bashkuara, tregun e saj kryesor të eksportit.

Me Trump, gjithçka është e paparashikueshme,”thotë drejtori i saj ekzekutiv Frederic Zeimett.

“Nuk mund të them se jemi shumë të shqetësuar, por duhet të qëndrojmë vigjilentë, po shikojmë se çfarë po ndodh. Ju e dini se me presidentin Trump gjithçka është e paparashikueshme. Pra, 20% që u njoftua ndoshta do të bëhet 200% brenda dy javësh, ndoshta do të bëhet 5% ose 0% në disa muaj. Pra, le të jemi matur, pa nxitim e panik. Le të shohim seç vjen më pas”, shprehet Frederic Zeimett.

Ai tregon se importuesit amerikanë të shampanjës e kishin parashikuar vendosjen e tarifave ndaj dhe krijuan stoqe të mëdha shishesh shampanje që një javë pasi u zgjodh Trump.

“Ne kemi një importues me seli në Nju Jork, i cili është jashtëzakonisht i shpejtë dhe erdhi një javë pas zgjedhjes së Donald Trump, duke ndjerë erën e ndryshimit. Ndaj bëri dhe porosinë më të madhe të marrë ndonjëherë për shampanjës e markës Leclerc-Briant. Duke ndjerë rrezikun, mori një kontejner me 15,000 shishe, gjysma e të cilave u nis në Dhjetor dhe gjysma në Janar”, thekson Zeimett.

Ndërsa Europa u kursye nga tarifa 200% që Trump kërcënoi të vendosë, prodhuesit e shampanjës frikësohen se hakmarrja ndaj Europës mund të vijë pasi të vendosen tarifa ndëshkuese për uiskin bourbon.

“Ata që nuk ishin në gjendje të parashikonin dhe nuk porositën vëllim të konsiderueshëm, sot ndihen disi të ngecur. Në fakt sot, gjithçka ka ngecur. Kemi mjaft importues dhe operatorë për shampanjën të cilët për momentin, ndërsa presin një fat më të mirë, por tani refuzojnë të eksportojnë nga Franca sepse nuk e dinë nëse tarifa 20% do të qëndrojë 20% apo do të bëhet 50% ndërsa anija udhëton drejt Nju Jorkut”, tha Zeimett.

Zeimett tha se do të ishte e vështirë për prodhuesit e shampanjës të zhvendoseshin në tregje të tjera.

“Ky do të jetë fundi i tregut amerikan dhe problemi është se tregu amerikan, për të gjithë rajonin e Shampanjës tërheq rreth 25-30 milionë shishe në vit. Pra, a ka një zgjidhje rezervë për shitjen e 25-30 milionë shisheve diku tjetër në botë, nëse nuk i eksportojmë në Shtetet e Bashkuara? Nuk mendoj se do të gjejmë një treg tjetër, dhe mund të ndeshemi me mbi magazimin nga mbyllja e tregut të parë të eksportit. Të gjithë këtu në Shampanjë do të kemi një problem të vërtetë nëse gjërat vazhdojnë kështu, nëse do të kemi tarifa mbi 30 ose 40%.”

Grupi francez i eksportuesve të verërave dhe pijeve alkoolike FEVS tha të mërkurën se shitjet e verës dhe pijeve alkoolike franceze pritet të bien me të paktën 20% në Shtetet e Bashkuara si rezultat i rritjes së tarifave nga presidenti Trump.

“Është qartësisht e komplikuar të gjesh një treg të ri, si për ne ashtu edhe për të tjerët, bëhet fjalë për 15,000 shishe. Ku do t’i shisnim nëse Shtetet e Bashkuara mbyllin dyert?”, deklaron Zeimett.

ShBA-ja është tregu më i madh për verërat dhe pijet alkoolike të Francës. Në vitin 2024 eksportet franceze u rritën 5% duke arritur në 3.8 miliardë Euro (4.12 miliardë Dollarë).

About Author
Rilindja Shqiptare
View All Articles

Related Posts