Në gjykimin për vrasjen e A.Zh., në Gllamnik të Podujevës, Gjykata Themelore në Prishtinë mbajti seancë për caktimin e lartësisë dënimit për të akuzuarin Orges Zhugolli, pasi më 27 maj 2025 e kishte shpallur fajtor për vrasje.
I akuzuari Orges Zhugolli, ngarkohet se më 12 shtator 2023 në Gllamnik të Podujevës, kishte privuar nga jeta tani të ndjerin A.Zh për shkak të një konflikti që kishin pasur në komunikacion, raporton “Betimi për Drejtësi“.
Fillimisht, në seancën e së premtes, prokurori i rastit Arben Hoti paraqitini rrethanat rënduese nisur me dashjen e Zhugollit që të kryejë veprën penale të vrasjes dhe shkaktimin e pasojës së ndaluar, duke kërkuar dënim maksimal për të.
Hoti përmendi edhe prezencën e dhunës që i akuzuari Zhugolli e ka paraqitur me rastin e kryerjes së veprës penale edhe ndaj shokëve të viktimës A.Zh.
Po ashtu, prokurori tha se tani i ndjeri A.Zh., është sulmuar befasisht dhe se ka qenë më i ri e më pak fizikisht i zhvilluar sesa i akuzuari. Në rastin konkret, tha se këto i ka shfrytëzuar i akuzuari për kryerjen e vrasjes.
Prokurori tha gjithashtu viktima ka qenë i moshës relativisht të re, 22-vjeç, dhe se ka qenë në fillim të ndërtimit të një jete të pavarur dhe të gjatë.
“Mosha e viktimës, sepse i ndjeri ishte 22 vjeçar, që nënkupton se ai ka qenë në fillimi një jetë të pavarur dhe me pritshmëri për një jetë të gjatë dhe ndihmë afatgjate për familjen e tij, por edhe për shoqërinë”, deklaroi prokurori Hoti.
Sipas tij, rrethanë tjetër rënduese Gjykata duhet të llogarisë edhe atë se veprimet e të akuzuarit janë të një shkalle të lartë të dëmit të shkaktuar dhe të parikuperueshëm që paraqitet si dëm edhe te familja Zhegrova.
Prokurori Hoti u shpreh se ka munguar provokimi nga tani i ndjeri A.Zh dhe se kjo vërtetohet nga ajo se në natën kritike nuk ka pasur asnjë komunikim mes tij dhe të akuzuarit.
Në anën tjetër, mbrojtësi i Zhugollit, avokati Naim Rudari listoi rrethanat lehtësuese, por duke sqaruar se vendimin e Gjykatës për dënim të Zhugollit për vrasje do ta ankimojë sa i përket cilësimit juridik.
Avokati Rudari deklaroi se mungesa e pendimit nga ana e të akuzuarit nuk figuron si rrethanë rënduese të cilën tha se e specifikoi prokurori Hoti. Tha se nuk qëndron ajo çka deklaroi prokurori, pasi që i akuzuari ka bashkëpunuar me institucionet e drejtësisë sepse është lajmëruar vetë.
“Sjellja e Orges Zhugollit ka qenë përtej shembullore dhe se i njëjti përveç se është larguar nga vendi i ngjarjes e di që është lajmëruar vetë vullnetarisht për t’u ballafaquar me veprimet e tij”, deklaroi avokati Rudari.
Po ashtu, ai tha se nga veprimet e të mbrojturit të tij mungon lidhja mes veprimit dhe pasojës së shkaktuar, pasi që plaga e shkaktuar te viktima, nuk është vërejtur gjatë mjekimit- e që e njëjta ka shkaktuar vdekjen e tij.
Rudari tha se i akuzuari është provokuar nga shokët e të ndjerit dhe se mosha e të akuzuarit është mjaft e re dhe se më parë nuk është i dënuar për ndonjë vepër penale.
Avokati Rudari tha se Zhugolli ndaj familjes së viktimës, ndaj gjykatës dhe institucioneve të drejtësisë, ka pasur qasje korrekte.
Më pas, gjykatësi i rastit Ertan Sejfulla e shpalli të përfunduar seancën për caktimin e lartësisë së dënimit ndaj të akuzuarit Orges Zhugolli.
Ndërkaq, sipas aktakuzës së Prokurorisë Themelore në Prishtinë, më 12 shtator 2023 afër marketit “Melis”, që gjendet në fshatin Gllamnik të Podujevës, i pandehuri Orges Zhugolli kishte privuar nga jeta tani të ndjerin A.Zh., për shkak të një konflikti që kanë pasur në komunikacion.
Vërejtje:
Personat e përmendur në këtë artikull, sipas ligjeve të Republikës së Kosovës, konsiderohen të pafajshëm deri në vendimin e formës së prerë nga gjykata.