Kryeministri Edi Rama ka treguar një bisedë të tijën me presidentin serb Aleksandër Vuçiq pas deklaratës së bërë prej tij në vitin 2014 në Beograd, ku tha se Serbia duhet të njohë pavarësinë e Kosovës.
Në një intervistë për “Euronews Serbia”, Rama u shpreh se Vuçiç mbeti i dëshpëruar dhe u inatos nga deklarata e tij.
Rama tha se pas konferencës, Vuçiqi ishte me ekipin e tij, të cilët i kërkuan që ta dëbonin nga Serbia.
“Në 2014-n ne rrezikuam të shkëputeshim sërish për 68 vite të tjera, pasi Aleksandar mbeti i dëshpëruar nga deklarata ime në konferencën për shtyp në Pallatin e Serbisë, që Serbia duhet të njohë Kosovën. Ai u inatos dhe e mbaj mend mirë që kur mbaruam konferencën patëm një bisedë të vogël përpara drekës. Ai ishte aty me ekipin e tij, të gjithë e kishin rrethuar, ishte si një kullë e rrethuar nga muret. Unë iu afrova dhe më tha: a e di se çfarë po më thonë? Jo, i thash. Përse nuk të kam dëbuar ende nga Serbia. I thashë, nuk habitem, për këtë ti je presidenti dhe ata këshilltarët e tu”, theksoi kreu i qeverisë shqiptarë.
Ndër të tjera, Rama nënvizoi se Vuçiqi i kishte thënë sesi do të reagonte nëse do thoshte në Tiranë se Serbia nuk do ta njohë Kosovën.
“Më pas u takuam sërish këtu në mbrëmje, bëmë një shëtitje, ai vazhdonte të ishte i tensionuar, por e kuptuam se nëse vazhdojmë kështu, duke i mbyllur gojën njëri-tjetrit për këtë çështje, nuk do të jetë e mundur të ndërtojmë një marrëdhënie. Ai më tha, po sikur të vij unë në Shqipëri dhe të them se nuk e njohim Kosovën? Unë i thash, ti mund të vish dhe të thuash ç’të duash dhe unë nuk do të sillem kurrë siç u solle ti këtu. Por kjo nuk është arsye për të mos vazhduar dialogun. Dhe unë mendoj se ka më shumë kapacitete për t’u mirëkuptuar. Ndërtimi i kapaciteteve për t’u mirëkuptuar është njësoj si të ndërtosh paqen”, përfundoi Rama. /euronews