Sindikata e Pavarur e Radiotelevizionit të Kosovës (SPRTK) dhe Shoqata Sindikale e Radio Kosovës kanë protestuar para Kuvendit të Kosovës, në shenjë pakënaqësie për mospagesën e pagave dhe mosekzekutimin e buxhetit të RTK-së nga institucionet përgjegjëse shtetërore.
Kryetar i Shoqates Sindikale te Radio Kosoves, Pajazit Krasniqi, ka thënë se prej muajsh Radiotelevizioni i Kosovës po përballet me një situatë të rëndë: buxheti për pjesën e dytë të vitit 2025, ndonëse i miratuar me ligj, ende nuk është transferuar nga institucionet përgjegjëse. Dhe sot, ndërsa kalendari shënon datën 10 nëntor, ne, punëtorët e RTK-së, ende nuk i kemi marrë pagat e muajit tetor.
Kjo situatë, sipas tij, po ndodh në një periudhë jashtëzakonisht të ndjeshme dhe të ngarkuar për punëtorët e RTK-së.
“Përkundër vështirësive dhe mungesës së pagave, stafi i RTK-së ka vazhduar me përkushtim realizimin e projekteve madhore profesionale, si: mbulimi medial i zgjedhjeve lokale dhe i balotazhit, pergatitja per mbulimin e zgjedhjeve të reja potenciale nacionale, realizimin e Festivalit te Këngës, realizimin dhe transmetimin e ndeshjeve të ekipeve kosovare pjesëmarrese në kompeticione evropiane, transmetimin e ndeshjeve të Kosovës të vlefshme për kualifikimet e Kampionatit Botëror si dhe pergatitjet per programet festive të fundvitit. Të gjitha këto janë projekte madhore me rëndësi kombëtare, të cilat po mbahen gjallë vetëm falë përgjegjësisë dhe përkushtimit të punëtorëve të RTK-së”, tha ai.
Sipas tij, përkundër gjithë këtij angazhimi voluminoz të stafit, kohëve të fundit jemi dëshmitarë të një neglizhence të papranueshme nga ana e institucioneve të vendit për ta trajtuar me urgjencë çështjen e transferimit të buxhetit të RTK-së.
“Kjo vonesë po rrezikon funksionimin normal të institucionit, po cenon mirëqenien e punëtorëve dhe, mbi të gjitha, po prek të drejtën e qytetarëve për informim të pavarur dhe të paanshëm. Kjo nuk është vetëm padrejtësi, është shkelje e dinjitetit të punëtorit, është cenim i sigurisë ekonomike të familjeve tona, dhe mbi të gjitha, është mosrespektim i ligjit. RTK-ja nuk duhet të mbetet peng i kalkulimeve politike. Buxheti i RTK-së nuk është dhuratë, është obligim ligjor që duhet të ekzekutohet me kohë dhe pa vonesa”, tha ai.
Shoqata Sindikale e Radio Kosovës dhe Sindikata e Pavarur e RTK-së, i bëjnë thirrje Presidentes së Republikës së Kosovës që të shfrytëzojë pozitën dhe kompetencat e saj kushtetuese për të ndërhyrë në këtë situatë të padrejtë dhe të pajustifikueshme.
“Si garantuese e funksionimit të institucioneve dhe e unitetit kushtetues të vendit, kërkojmë nga Presidentja që të ndërmarrë hapa konkretë për të siguruar që Radiotelevizioni i Kosovës të mos mbetet peng i neglizhencës institucionale dhe t’i mundësohet qasje e menjëhershme në buxhetin që i takon me ligj. Në të njëjtën kohë, i drejtojmë thirrjen e fundit Kuvendit dhe Qeverisë së Republikës së Kosovës që të reflektojnë urgjentisht ndaj kësaj gjendjeje të rëndë, e cila po prek drejtpërdrejt punëtorët e RTK-së dhe funksionimin e vet institucionit si transmetues publik kushtetues. Mosveprimi në këtë drejtim jo vetëm që cenon të drejtat e punëtorëve, por rrezikon vazhdimësinë e një prej shtyllave themelore të informimit publik dhe të demokracisë në vend. Është koha që përgjegjësia institucionale të vihet mbi çdo interes politik apo burokratik. Institucionet të reflektojnë dhe ta trajtojnë me seriozitetin më të madh transmetuesin publik si vlerë e çmuar e demokracisë. Nëse sot nuk dëgjohemi, nesër do të jemi më shumë, më të vendosur dhe më të zëshëm. Sepse kjo është kauza jonë, kauza për një RTK financiarisht stabile, të pavarur dhe me dinjitet. Prandaj sot, nga kjo protestë, kërkojmë me zë të qartë: Buxheti i RTK-së të transferohet me urgjencë! Pagat tona të paguhen menjëherë”, ka thënë Krasniqi.
























