Lista Serbe është subjekti më problematik i koalicionit qeverisës që drejtohet nga Avdullah Hoti. Edhe pse nga Qeveria pohojnë që është duke kontribuar në punët e ekzekutivit, në Parlament kjo parti ka qëndrim ndryshe. Rrallëherë voton ligje të rëndësishme e kushtëzimi është forma që e përdor më shpesh.Por kur vie puna për rrëzim të Qeverisë, LS-ja nuk heziton asnjëherë që të jap votën. E kërcënimet e tilla kryeministri Hoti nuk i dëshiron aspak. Madje ai paralajmëroi se javëve në vijim do të adresohen disa çështje lidhur me këtë parti. E në një konferencë për media ai tha se ’’Qeveria mund të bie por nuk pranon të shantazhohet nga askush’’. Të kënaqur me punën e këtij subjekti politik nuk janë as partnerët e tjerë të koalicionit.
Lista Serbe nuk është duke marr pjesë aktivisht në seancat e Kuvendit të Kosovës. Madje kjo parti nuk po ua siguron votat as ekzekutivit pjesë e së cilës është edhe vet, për kalimin e ligjeve dhe projektligjeve. Lidhur me këtë gjë ditë më parë ka reaguar edhe kryeministri Hoti, e që para mediave tha se do t`i adresojnë disa çështje që lidhen me këtë parti.
Mirëpo nga Zyra e Kryeministrit po thonë që ky subjekt politik është duke kontribuar në punën e Qeverisë së Kosovës.
“Lista Serbe është pjesë e koalicionit qeverisës dhe është duke kontribuar në punën e Qeverisë së Kosovës. Kryeministri Hoti ka komunikim të rregullt me të gjithë partnerët e koalicionit, ndërsa komunikime në baza ditore / javore me ministrat dhe zëvendëskryeministrat”, ka thënë për Express, zëdhënësja e Qeverisë, Antigona Baxhaku.
Megjithatë nga Qeveria, konfirmuan për Express se janë në shqyrtim të disa pakënaqësive të Listës Serbe.
“Jemi të vetëdijshëm se ka disa pakënaqësi nga Lista Serbe, të cilat janë duke u shqyrtuar dhe besojmë që shumë shpejtë do të arrijmë pajtueshmëri”, ka thënë më tutje ajo për Express.