Kryetari i Prishtinës, Përparim Rama tha se ka marrë shqetësime nga qytetarët në lidhje me ngritjen e çmimeve të tatimit në pronë.

Ai thotë se Ministria e Financave është autoriteti kompetent, ndërsa Komuna e Prishtinës cakton përqindjen e tatimit në bazë të vlerësimit paraprak të Ministrisë.

“Për të evituar hutinë e shkaktuar nga deklaratat e nxjerra deri më tash, dëshiroj ta bëj më se të qartë për të gjithë qytetarët e kryeqytetit, të cilët janë ata që direkt preken nga ky proces. Bazuar në dispozitat e Ligjit në fuqi për Tatimin në Pronën e Paluajtshme (neni 17 i Ligjit nr. 06/005 dhe UA MF-Nr. 08/2019) Ministria e Financave, Punës dhe Transfereve është autoriteti kompetent për vlerësimin e pronave, ndërsa Kryeqyteti sipas të njejtit Ligj, cakton përqindjen e tatimit në pronë në bazë të vlerësimit të Ministrisë”, shkroi Rama në Facebook.

Kryeqyteti e ka caktuar përqindjen më të ulët të mundshme të tatimit në pronë, sipas Ramës.

“Norma më e ulët e lejuar është 0.15% e shumës së përcaktuar nga Ministria e Financave, Punës dhe Transfereve. Prandaj, ju siguroj se Kryeqyteti nuk ka pasur asnjë ndikim në rritjen e faturave të tatimit në pronë, por rritja ka ardhë si pasojë e ri-vlerësimit të pronave nga Ministria e Financave”, shkroi Rama.

https://www.facebook.com/perparimrama2021/posts/490396453256871

Related Posts