Rainer Rudolph është emëruar ambasador i ri i Gjermanisë në Kosovë.
Me një përvojë të thellë në diplomaci dhe politikën evropiane, Rudolph vjen në Prishtinë nga pozita aktuale si Nënkryetar i Konferencës së Sigurisë së Mynihut, të cilën e mban që nga viti 2023.
Diplomati gjerman ka mbajtur pozita të larta në Ministrinë e Jashtme të Gjermanisë dhe në institucionet e Bashkimit Evropian. Ai ka shërbyer më herët si Zëvendës Shef i Misionit në Ambasadën Gjermane në Vjenë dhe si shef i Divizionit në Kancelarinë Federale Gjermane për çështjet e BE-së, zgjerimin dhe marrëdhëniet e jashtme të Unionit (2014–2019).
Për pozitën e tij si ambasador i ri i Gjermanisë në Kosovë, ka konfirmuar Ambasada Gjermane në Prishtinë për Radio Kosovën.
Rudolph ka përfaqësuar Gjermaninë edhe në ambasadat në Varshavë dhe Uashington D.C., si dhe në Përfaqësinë e Përhershme pranë BE-së në Bruksel. Ai është gjithashtu anëtar i asociuar në Këshillin Gjerman për Marrëdhëniet me Jashtë (DGAP).
Emërimi i tij në Prishtinë shihet si vazhdim i angazhimit të Gjermanisë për të mbështetur fuqishëm rrugën evropiane të Kosovës dhe stabilitetin në rajonin e Ballkanit Perëndimor.