Kryeministri shqiptar, Edi Rama tha në fjalën e tij në Forumin e Bledit se Shqipëria ka objektiva të qarta për të realizuar kriteret që duhen për të mbyllur procesin e anëtarësimit në Bashkimin Evropian brenda vitit 2027.

“Pastaj janë shtetet anëtare dhe pjesë tjetër e procesit. Ne po ecim përpara dhe nuk po bëjmë pyetje”, tha Rama në fjalën e tij, raporton A2 CNN.

“Në Bled vjen të ndash vizionin dhe pastaj shkon në Bruksel dhe duhet të jesh një nxënës shumë i zellshëm”.

Rama shtoi se procesi i anëtarësimit mbetet tepër i rëndësishëm dhe datat nuk janë thelbësore.

“Nuk ka vend për nxitim, sepse besoj që pjesa më e rëndësishme, për Shqipërinë të paktën, është që ta përdorë procesin e anëtarësimit si proces shtetndërtimi, sepse Europa është një bekim për vende si tonat, sepse është vendi i vetëm ku mund të marrësh dijet si të ndërtohen institucionet.  Ne nuk kemi pasur kurrë institucione dhe ky është procesi më i vështirë. Ky është dallimi me Afganistanin, Irakun. Patjetër nuk na pëlqen që ta kemi trafikun aq të përsosur sa në Gjermani, por duhet ta bëjmë. Europa është këtu që të na mësojë sesi të vendosen semaforët. Ne po përparojmë, jemi absolutisht euro-optimistë. E duam Europën pa kushte edhe pse na ka bërë të vuajmë shumë. Kemi bindjen e plotë që një ditë do të martohemi”, tha Rama në fjalën e tij, shkruan A2Cnn.

 

Related Posts