Kryetari i Partisë Socialiste, Edi Rama ka mbërritur në seli pas votimit nga ku do të vijojë të ndjekë procesin e votimit të ditës së sotme. Gazetarja Elia Zotka raporton se në seli tanimë veç tij ndodhet edhe Ogerta Manastirliu dhe stafi që merret me projeksionet. Si çdo herë, parashikohet që Rama do të qëndrojë në zyrë deri në orët e para të mëngjesit.
Elia Zotka: Përveçse kryeministrit që erdhi pak minuta më parë në zyrën e Partisë Socialiste, pasi votoi, bëri një ndalesë të shkurtër në kryeministri dhe tani ndodhet në zyrën e tij në selinë rozë. U rikthye pasi ishte larguar për disa minuta edhe drejtuesja politike e qarkut të Tiranës, znj. Manastirliu, ndërkohë janë edhe gjithë stafi që merret me projeksionet këtu në Partinë Socialiste. Është një strukturë që socialistët e përdorin prej më shumë se 10 vjetësh, e përdorin për anketime nga më të ndryshmet, për çdo nismë që qeveria ndërmerr, bazohen shumë te kjo strukturë që kanë ngritur këtu në selinë rozë.
Drini Zeqo: Besoj do të jetë gjatë ditës kryetari socialist Rama aty për të ndjekur procesin?
Elia Zotka: Po. Nga eksperienca e zgjedhjeve të mëparshme, ai rri gjatë gjithë kohës në zyrë, lëviz vetëm për pak minuta për të konsumuar drekën, rikthehet dhe ikën në orët e para të mëngjesit nga selia rozë për t’u rikthyer mëngjesin e ditës tjetër.