Duke reaguar ndaj zhvillimeve të fundit në Partinë Demokratike të Kosovës dhe mënyrës së vendimmarrjes për kandidaturën për zgjedhjet lokale në Drenas, Ramiz Lladrovci ka dalë me një deklaratë të fuqishme dhe njoftimin për themelimin e një subjekti të ri politik.
Subjekti i ri do të quhet Për Drenasin Kampion me Ramiz Lladrovcin (PDKRLl) dhe do të garojë në zgjedhjet lokale të 12 tetorit për kryetar komune dhe asamble komunale. Sipas deklaratës, ky hap nuk është ndarje nga PDK-ja, por një përpjekje për të mbrojtur vlerat e qeverisjes së mirë dhe për të mos lejuar degradimin e Drenasit nga vendime të padrejta dhe të ndikura nga “pushteti i tretë”.
Në tekstin e publikuar, Lladrovci dhe mbështetësit e tij theksojnë se vendimi i Kryesisë së PDK-së për ta zëvendësuar atë u mor pa përgjegjësi, pa integritet dhe në kundërshtim me vullnetin e qytetarëve të Drenasit. Ai rikujton se udhëheqja e tij është vlerësuar si më e suksesshmja në historinë e performancës komunale në Kosovë, ndërsa vendimi i fundit nga PDK-ja përjashton meritokracinë dhe nënçmon qytetarin.
PDKRLl do të jetë një subjekt i përqendruar vetëm në zgjedhjet lokale, duke kërkuar besimin e qytetarëve për të vazhduar qeverisjen me duar të pastra, larg korrupsionit dhe ndikimeve të jashtme.
“Qytetari i Drenasit ka aftësi kritike dhe nuk do të lejojë të keqpërdoret për interesa të huaja. Bashkë, vazhdojmë +4!”, thuhet në fund të deklaratës.
Subjekti i ri tashmë ka nisur mobilizimin dhe fton të gjithë qytetarët që e duan Drenasin të bashkohen në këtë projekt të ri politik.