Më 7 shtator 1990, në qytetin e Kaçanikut, delegatët e Kuvendit të Kosovës miratuan një nga aktet më të rëndësishme të historisë sonë moderne – Kushtetutën e Kaçanikut. Ky akt historik, i cili vendosi bazat e shkëputjes së Kosovës nga Serbia dhe ish-Jugosllavia, është sot gurthemel i shtetësisë dhe pavarësisë sonë.

Ish-kryeministri i Kosovës dhe kryetari i AAK-së, Ramush Haradinaj, ka kujtuar me nderim të veçantë këtë ditë, duke theksuar guximin dhe vizionin e delegatëve që, përkundër rrethanave të rënda politike, përfaqësuan aspiratën shekullore të shqiptarëve për liri.

“Me nderimin më të lartë kujtojmë delegatët e asaj kohe, të cilët në rrethana të vështira, me guxim dhe vizion, përfaqësuan aspiratën e kahmotshme të popullit shqiptar për liri dhe vendosën themelet e shtetësisë e pavarësisë së Kosovës. Mirënjohje e përjetshme për kontributin e tyre të pamohueshëm”, shkroi Haradinaj.

Kushtetuta e Kaçanikut mbetet një pikë kthese, jo vetëm si akt juridik, por edhe si manifestim i vullnetit të pathyeshëm politik e kombëtar, që më vonë çoi drejt shpalljes së Pavarësisë së Kosovës më 17 shkurt 2008.

Related Posts