Në një shoqëri ku heshtja shpesh bëhet pjesë e dhunës, dhe muret e shtëpisë mbajnë sekretet më të rënda, mbrojtja e viktimave të dhunës në familje nuk duhet të jetë opsion, por detyrë.
Por çfarë ndodh kur ata që duhet të jenë në vijën e parë të reagimit mungojnë ose nuk janë trajnuar si duhet?
Raporti i fundit i Inspektoratit Policor të Kosovës zbulon një realitet shqetësues: mungesë e zyrtarëve të trajnuar, ekipe të paplota dhe struktura të pa funksionalizuara në stacione policore anembanë vendit.
Në një kohë kur dhuna në familje po merr përmasa shqetësuese, Njësitë Hetimore të Policisë së Kosovës për trajtimin e këtyre rasteve po përballen me sfida serioze.
Mungesa e burimeve njerëzore, mos plotësimi i vendeve të punës dhe procedura jo të rregullta po pengojnë trajtimin efektiv dhe profesional të rasteve të dhunës në familje.
Raste të ndjeshme të dhunës po trajtohen me burime minimale e në disa raste, pa asnjë person të caktuar zyrtarisht për t’i hetuar.
Në disa komuna, hetimet për dhunë në familje po zhvillohen nga hetues të tjerë, jo nga ekipet e dedikuara, ndërkohë që “dhomat mike” hapësira të sigurta për viktimat mungojnë ende në shumë stacione.
Në vend të reagimit të specializuar dhe të menjëhershëm, ka raste kur mungojnë madje edhe raportet bazë për prokurorin, apo vlerësimet e rrezikut që mund të shpëtojnë jetë.
Në stacionet e kategorisë B (Suharekë, Dragash, Viti, Skenderaj, Deçan e Zveçan) struktura parasheh ekipet për trajtimin e dhunës në familje me nga dy zyrtarë policor, por në dy prej tyre ajo nuk është përmbushur me personel (Dragashi dhe Zveçani kanë nga një zyrtar më pak). Edhe pse Lipjani parashihet të ketë ekip me një rreshter dhe dy zyrtarë policor, në kohën e inspektimit nuk është gjetur asnjë zyrtar i sistemuar me vendim të punës si pjesë e këtij ekipi.
Struktura sasiore e personelit tek stacionet e kategorisë C ndryshon. Shtërpca, Novobërda dhe Shtimja kanë ekip për trajtim të dhunës në familje dhe delikuencës së të miturve. Në Shtime është angazhuar një hetues konform strukturës për të trajtuar rastet.