Milot Rashica është duke e rikthyer dalëngadalë formën optimale.
Ylli kosovar është duke bërë paraqitje pozitive në këtë sezon me Besiktasin.
28 vjeçari, i cili u transferua në ekipin Bardhezi në fillim të sezonit të kaluar, deri tash në këtë edicion i ka zhvilluar 30 ndeshje, ndërsa i ka shënuar 4 gola dhe i ka bërë 9 asistime, duke kontribuuar në 13 gola të ekipit nga Superliga turke.
Përfaqësuesi kosovar tashmë e ka kaluar kontributin e tij në gola nga sezoni i kaluar, shkruan mediumi turk “Sporx”.
Në edicionin 2023/24, sulmuesi i krahut i kishte zhvilluar 41 ndeshje me skuadrën nga Stambolli, ndërsa i kishte realizuar 5 gola dhe i kishte dhënë 7 asistime, duke kontribuuar në total në 12 gola.
E neëse e shënon edhe një gol ose nëse e bën edhe një asistim në ligë apo në kupë, vushtrriasi do ta regjistrojë sezonin me kontributin më të lartë në gola që kur është transferuar në Turqi.
Në sezonin 2022/23, Rashica luajti në forma huazimi në Galatasaray, ndërsa në 30 ndeshje i realizoi 6 gola dhe i bëri 7 asistime, duke kontribuuar në 13 gola me ekipin Verdhekuq.
Me ardhjen e trajnerit Solskjaer, Rashica i ka realizuar 3 gola dhe i ka bërë 4 asistime, duke u bërë njëri nga lojtarët më të spikatur të skuadrës Bardhezi në sulm.
Në ndeshjet e fundit, Rashica, së bashku me Rafa Silva, është bërë një nga armët më të rëndësishme të Besiktasit për të shënuar gola.