Një ndërhyrje kirurgjikale e ndërlikuar është realizuar me sukses në Spitalin e Përgjithshëm “Dr. Sami Haxhibeqiri” në Mitrovicë, ku ekipi mjekësor ka hequr një tumor të madh, pesha e të cilit arrinte deri në 4 kilogramë.
Pacientja, Sh.K., 58 vjeçare, u pranua në repartin e Kirurgjisë me ankesa të rënda, përfshirë dhimbje të forta, fryrje të barkut dhe pengesa serioze në tretje.
“Pas ekzaminimeve të detajuara imazherike dhe laboratorike, ekipi mjekësor e diagnostikoi pacienten me Tumor Permagna abdominis (tumor me përmasa shumë të mëdha në bark, rreth 4 kilogramë). Po ashtu, ajo kishte edhe Peritonitis serosa (inflamacion i membranës së barkut me grumbullim lëngu)”, thuhet në njoftim.
Mjekët e Spitalit të Mitrovicës morën një vendim të shpejtë për ndërhyrje kirurgjikale të menjëhershme, duke u përballur me një situatë mjaft të rrezikshme. Operacioni konsistoi në heqjen e plotë të tumorit, eksplorimin e hollësishëm të zgavrës së barkut, pastrimin e saj dhe vendosjen e drenazhit për të siguruar rikuperim të plotë.
Gjatë operacionit, ekipi arriti të hiqte me sukses masën tumorale që peshonte rreth 4 kilogramë, duke i rikthyer pacientes funksionet vitale dhe duke eliminuar rrezikun për jetën. Aktualisht, pacientja është në gjendje stabile shëndetësore, ndërsa masa tumorale është dërguar për ekzaminim histopatologjik në Institutin e Patologjisë në QKUK”, thuhet tutje.
Ky sukses kirurgjik është rezultat i një pune ekipore të koordinuar, ku kontribuuan mjekë dhe infermierë, si Dr. Fatbardh Rexha dhe Dr. Linda Uka-Musa, teknikat e anestezionit Naser Spahiu dhe Besarta Mehmeti, instrumentaret Ferdane Bulliqi dhe Nerxhihane Çuni, si dhe infermierët Alma Musa, Besmire Mustafa dhe Rafet Bahtiri.























