Këshilltari për media i Presidencës, Bekim Kupina pas kërcënimit që mori presidentja e vendit, Vjosa Osmani tha se kërcënuesit nuk po përballen me drejtësinë.
Kupina tha se kërcënimi i kësaj jave është vazhdimësi e kërcënimeve të vazhdueshme me jetë ndaj Presidentes Osmani.
“Kërcënimi i kësaj jave është vazhdimësi e kërcënimeve të vazhdueshme me jetë ndaj Presidentes Osmani. Çfarë i bashkon të gjitha? Mosveprimi i institucioneve të drejtësisë. Përkundër dhjetëra kërcënimeve — shumica prej tyre kërcënime me jetë — asnjë veprim nuk është ndërmarrë ndaj kërcënuesve për vite me radhë. Kjo, edhe pse në shumicën e rasteve, kërcënimet bëhen me emër, mbiemër dhe nga profile të identifikueshme. Disa kërcënime janë bërë madje edhe në emisione televizive, por edhe atëherë kanë munguar veprimet për t’i përballur kërcënuesit me përgjegjësi”, tha Kupina.
Ai shtoi se kjo klimë e rrezikshme nxit të tjerët të ndjekin të njëjtin model të dhunës.
Rasti i kërcënimeve të njëpasnjëshme me jetë ndaj Presidentes dhe familjes së saj është i vetmi në historikun e institucioneve, siç na është thënë nga institucionet e sigurisë, ku asnjë nga kërcënuesit nuk është përballur me drejtësinë. Kur kërcënimet e rënda nuk trajtohen me seriozitetin që meritojnë, ato jo vetëm që nuk ndalen — përkundrazi, inkurajohen. Kjo klimë e rrezikshme nxit të tjerë të ndjekin të njëjtin model: nxitje dhune, thirrje për eliminim fizik dhe përçmim të plotë ndaj rendit kushtetues.