Real Madridi ka konfirmuar se sulmuesi Kylian Mbappe udhëtoi për në Francë për teste të mëtejshme, me qëllim të vlerësimit të progresit të dëmtimit të gjurit të tij.
“Pas testeve të kryera nga specialistë francezë, nën mbikëqyrjen e Shërbimeve Mjekësore të Real Madridit, është konfirmuar diagnoza e një shtrembërimi në gjurin e majtë të Mbappe. Po ndiqet trajtim konservativ dhe progresi i tij do të monitorohet vazhdimisht”, thuhet në njoftim.
I pyetur nga mediat, Arbeloa theksoi se nuk do të jepen afate për kthimin e Mbappe, edhe pse sipas analizave të para, mungesa do të shkojë deri në tri javë.
“Do ta shikojmë ditë për ditë; tani për tani është më mirë të mos japim afate. Kur francezi të jetë gati në 100%, ai do të kthehet në fushë. Nuk ka ndërmend të nxitohet kthimi i tij. Ne duam që Mbappe të shërohet plotësisht”, deklaroi Arbeloa.
Trajneri spanjoll ka nënvizuar se shqetësimi filloi më 7 dhjetor kundër Celta Vigo dhe që nga atëherë e ka penguar atë të luajë në maksimum.
Raporti mjekësor dhe ndalimi i tretë këtë sezon
Ky është raporti i parë zyrtar i klubit për gjendjen fizike të Mbappes që kur ai u përjashtua nga ndeshja kundër Benficas për shkak të përkeqësimit të dëmtimit.
Si pasojë, sulmuesi do të mungojë për herë të tretë këtë sezon.
Qëllimi i këtij udhëtimi në Francë është të monitorohet progresi i tij në mënyrë optimale dhe ta përgatisë për rikthimin në gjendjen më të mirë të mundshme. Raporti i mjekëve francezë përputhet me vlerësimin e stafit mjekësor të Real Madridit.
Loja ku ai mund të kthehet, është ajo ndaj Man Cityt në ndeshjen kthyese të Ligës së Kampionëve.
























