Me vite të tëra Kosova është përballur me mungesë të punëtorëve shëndetësorë. Kjo mungesë më së shumti po vërehet gjatë kohës së pandemisë Covid-19. Derisa numri i qytetarëve të infektuar me këtë virus është i madh, numri i punëtorëve shëndetësorë vazhdon të jetë i vogël.
Për rreth 9 muaj punëtorët shëndetësorë janë duke u ballafaquar me pandeminë Covid-19. Për shkak të gjendjes së krijuar me pandeminë në vend, ata shprehen se janë shumë të ngarkuar në dhënien e shërbimeve shëndetësore. Derisa numri i rasteve me këtë virus është i madh, mungesa e punëtorëve shëndetësorë, po ua vështirëson punën këtyre të fundit.
Nënkryetari i Odës së Mjekëve, Naser Gjonbalaj, ka thënë se deri tani situata është menaxhuar, por që nuk e di se si do të vazhdohet tutje në këtë situatë.
Ai është shprehur se punëtorët shëndetësorë janë shumë të ngarkuar nga rastet e shumta që po kërkojnë trajtim mjekësor.
“Numri i pacientëve është në rritje. As personeli shëndetësor nuk është duke e pasur të lehtë, është duke u rritur edhe numri i personelit të infektuar me virus. Deri në këto momente situata është duke u përballuar por nuk e di se si do të vazhdohet më tutje. Urojmë që të bie numri i rasteve dhe të gjithë të kujdesen për veten”, ka thënë ai për Express.
Gjonbalaj ka thënë se tashmë edhe punëtorët shëndetësorë që kanë qenë të papunë janë angazhuar në institucionet shëndetësore për shkak të rasteve të shumta të infektuara, dhe se janë duke punuar me gjitha kapacitetet që kanë.
Përndryshe, mungesën e punëtorëve shëndetësorë e kanë shprehur nga Qendra Klinike Universitare e Kosovës, spitalet rajonale e nga vetë drejtorët e Shëndetësisë në komuna.
Drejtoresha e Shëndetësisë në Komunën e Mitrovicës, Erseka Hasanaj-Barani ka thënë se për momentin nuk kanë mjaftueshëm punëtorë shëndetësorë për ta menaxhuar gjendjen me pandeminë.
Ajo ka thënë se situata në këtë komunë sa i përket stafit shëndetësorë është e rënduar.
“Momentalisht, nuk kemi punëtorë shëndetësorë mjaftueshëm për menaxhimin dhe përballimin e pandemisë në komunën tonë. Kjo pasi që 13 mjek familjarë kanë shkëputur kontratat e tyre duke u bazuar në fitmin e specializimeve nga Ministria e Shëndetësisë, njëkohësisht një pjesë e stafit janë aktualisht me COVID-19. Kështu që jemi duke u përballur me një situatë mjaft të rënduar”, ka thënë ajo.
Tutje Hasanaj-Barani ka deklaruar se për shkak të mungesës së mjeteve financiare nuk po kanë mundësi për rekrutimin e stafit shtesë, ndonëse tashmë problematikë për ta po është edhe pensionimi i punëtorëve shëndetësorë.
“Sikur në komunat tjera, ashtu edhe ne kemi shumë punëtorë shëndetësorë të cilët janë në prag të pensionimit dhe nuk po kemi mundësi të zhvillimit të procedurave të rekrutimit për shkak të mungesës së mjeteve financiare e cila është krijuar për shkak të pagesës së shtesave të personelit shëndetësor”, ka shtuar ajo.
Ndërsa, edhe Afërdita Spahiu-Shllaku, drejtoreshë e Shëndetësisë në Komunën e Gjakovës, ka deklaruar se janë duke u ballafaquar me mungesë të stafit shëndetësorë.
Mungesa po bëhet më e theksuar me infektimin e vet punëtorëve shëndetësorë.
“Ne po ballafaqohemi me mungesë të stafit pasi që kemi shumë prej punëtorëve shëndetësorë të prekur nga virusi Covid-19, të cilët qëndrojnë në vetizolim qoftë për shkaqe të tyre shëndetësore ose të familjarëve të tyre”, ka theksuar ajo.
Nga zyra për informim në Spitalin e Pejës kanë thënë se infektimi i punëtorëve shëndetësorë, është një mungesë shumë e madhe për spitalin në kryerjen e detyrave.
Nga ta është bërë e ditur se deri tani ja kanë dalur të ofrojnë shërbime shëndetësore pasi kanë bërë lëvizje të brendshme të mjekëve për të plotësuar nevojat.
Ndërsa, edhe nga Spital i Prizrenit, ndonëse kanë thënë se kanë rritje të numrit të rasteve të pacientëve të infektuar me këtë virus, janë angazhuar maksimalisht në menaxhimin e situatës.