Enterieri i këtij sezoni kërkon ngrohtësi, hapësirë dhe elegancë – ja çfarë duhet hequr dhe çfarë duhet futur në dekor

Për shumicën e njerëzve, vjeshta sjell momente të ngrohta me të dashurit, darka të bollshme dhe mbledhje të hershme festive. Megjithatë, për ta shijuar vërtet atmosferën e sezonit, është e rëndësishme që shtëpia të jetë e rregulluar, pa ndera të panevojshme dhe pa dekor që nuk i përshtatet hapësirës. Ekspertët e enterierit tregojnë trendet e këtij sezoni dhe çfarë duhet hequr apo zëvendësuar në dekorimet tuaja.

Në vend që të fokusoheni vetëm në motive vjeshte, mendoni se si do ta përdorni hapësirën gjatë këtyre muajve. Nëse planifikoni darka ose mbledhje të vogla intime, mendoni si ta riorganizoni dhomën e ditës për të krijuar më shumë hapësirë për mysafirët.

Nga ana tjetër, nëse dëshironi që shtëpia të bëhet strehë e ngrohtë për ditët e ftohta, vlerësoni se cili dekor dhe mobile ju sjellin rehati dhe rregulloni hapësirën sipas tyre.

Nëse ende nuk e dini nga t’ia filloni, ja pesë gjërat dekorative që dizajnerët e enterierit ua sugjerojnë shpesh klientëve të zëvendësojnë gjatë vjeshtës, transmeton Telegrafi.

1. Hiqni qafe jastëkët që nuk janë të rehatshëm

Ka shumë gjasa që dhoma e ditës, sidomos divani, këtë vjeshtë të presë më shumë njerëz se çdo hapësirë tjetër. Kjo do të thotë se tani është momenti ideal për të zëvendësuar jastëkët e vjetër dhe të konsumuar me disa që vërtet ju bëjnë të uleni me qejf dhe të relaksoheni.

Rregullimi i hapësirës me jastëkë të butë dhe elegant do ta bëjë dhomën më të ngrohtë dhe më tërheqëse edhe për mysafirët. Rekomandohet përdorimi i jastëkëve në nuanca bezhë; ata me teksturë ose materiale të buta (si pelushi) shtojnë interes vizual dhe rehati shtesë.

 unsplash

2. Zëvendësoni veprat artistike me ato që ju pëlqen t’i shikoni

Është koha të hiqni nga muri çdo vepër arti që ju është bërë e mërzitshme. Në vend të tyre, zgjidhni piktura, printime të kornizuara, fotografi apo objekte dekorative që nxisin biseda gjatë mbledhjeve festive ose ahengjeve të vogla në dhomën e ditës.

Ndryshe nga besimi i zakonshëm, dekorimi i ri nuk ka pse të “bërtasë” vjeshtë. Në vend të motivit të gjetheve ose kungujve, kërkoni punime artistike që i gjeni interesante, estetike dhe që pasqyrojnë personalitetin tuaj.

Preferohet një paletë e ngrohtë ngjyrash, por pa u kufizuar. Duke kaluar më shumë kohë në shtëpi në ditët e ftohta, hapësira juaj duhet të jetë komode dhe e përputhur me stilin dhe karakterin tuaj.

3. Hiqni rrëmujën nga raftet e librave

Vjeshta është koha ideale për të rishikuar çdo gjë që është grumbulluar në raftet e librave. Si dikush që pëlqen të ekspozojë skulptura, objekte të ndryshme, libra dhe fotografi në rafte murale ose komoda, eksperti nënvizon rëndësinë e një qasjeje të menduar me kujdes.

A jeni duke e mbingarkuar hapësirën me dekor që nuk ka më rëndësi apo është i vjetruar? Shumë e mundur. A ju duhen me të vërtetë të gjitha ato gjëra në raft? Mbase jo.

Në vend që ta mbushni me objekte “të ëmbla”, zvogëloni numrin e dekorimeve për një pamje më elegante dhe të pastër. Mysafirët tuaj do ta shijojnë më shumë një hapësirë të qetë dhe të rregullt dhe ka gjasë që edhe ju vetë.

4. Mendoni nëse ka ardhur koha për një vazo të re të preferuar

Me kalimin e viteve, është shumë e lehtë të grumbulloni vazo të shumta dhe pa lidhje me njëra-tjetrën. Mendoni të hiqni ato që nuk i përdorni kurrë dhe të investoni në një vazo të vetme, të bukur dhe me stil, të cilën mund ta përdorni gjithmonë.

Një vazo e madhe, në formë pike loti, mund të bëhet objekt bisede gjatë një kokteji, ndërkohë që i shton hapësirës interes vizual dhe e bën dhomën të duket më e organizuar.

 shutterstock

5. Zëvendësoni dekorin vjeshtor që duket shumë “i drejtpërdrejtë”

Dekori vjeshtor mund të jetë simpatik, por pyesni veten: a është diçka që do të doni ta mbani edhe pas nëntorit?

Fillimi i sezonit festiv është emocionues, edhe kungujt dekorativë janë të këndshëm, por rekomandohet të shmangni dekorin që është tepër sezonal dhe i dobishëm vetëm një ose dy muaj.

Më mirë investoni në elemente dekorative sezonale që do të dëshironi t’i përdorni edhe vitin tjetër. Në vend të dekorimit shumë “vjeshtor”, zgjidhni një kurorë të bukur ose një qiri me aromë kungulli që e përfaqëson sezonin në mënyrë të rafinuar.  

Related Posts