Ndarja e pagës së 13-të për zyrtarët publik por jo edhe për punonjësit e ndërmarrjeve publike, ka aktivizuar sindikatat, që kanë listuar kërkesat e tyre për institucionet e nivelit qëndror. Gjithashtu, janë paralajmëruar edhe protesta e greva.
Fillimisht kërkesat ua drejtuan veç me shkrim.
Por kur s’morën përgjigje tash po i japin zë padrejtësisë që pretendojnë se iu bë.
Sindikata e Re e punëtorëve të Korporatës Energjetike të Kosovës të enjten mbajti konferencë para qeverisë duke kërkuar ekzekutimin e pagës së 13-të edhe për ta.
“Punëtorët e Koorporatës Energjetike të Kosovës janë revoltuar për shkak se na kanë anashkaluar, punëtorët të cilët japin energjinë e bëjnë shtetin të punojë me energji në mënyrë që shteti janë të funksionojë sa më mirë”, ka thënë Xhelal Jashari, kryetar i Sindikata e Re e punëtorëve të KEK-ut.
Kritik ndaj qasjes së qeverisë qe edhe nënkryetari i kësaj sindikate, Nexhat Llumnica.
“Këta ose e komentojnë ligjin sipas dëshirës ose me të vërtetë janë të padijshëm sepse t’i thuash një veterani që punonë në KEK nuk të takon paga e 13-të edhe pse je ndërmarrje publike vetëm këtu ndodh”, ka thënë Llumnica.






















