Barazimi me Zvicrën është festuar nga lojtarët dhe tifozët e Kosovës. Ndërkohë barazimi i Rumanisë me Izraelin, me rezultatin 1:1, ka rritur presionin në Përfaqësuesen rumune.
Presioni te Rumani është rritur dukshëm në prag të ndeshjes me Kosovën. Rumania e pret Kosovën të martën nga ora 20:45 në “Arena Nationala” në Bukuresht. Por Përfaqësuesja e Rumanisë nuk është në momentin më të mirë të saj në prag të ndeshjes me Kosovën. Barazimi 1:1 me Izraelin, sidomos paraqitja në fushë, ka lënë shumë të pakënaqur në komunitetit e futbollit në Rumani. Ka pasur thirrje të shumta për largimin e selektorit Edi Iordanescu.
Rumania ka luajtur në Bukuresht edhe ndaj Izraelit, të shtunën mbrëma. Kaloi në epërsi në minutën e 27-të, ndërsa pranoi gol në minutën e 53-të. Në stadium ishin 50 mijë shikues.
Me barazim, Rumania ka lëshuar rastin që të bashkohet me Zvicrën në krye të tabelës së Grupit I. Pas pesë xhirove renditet e dyta me nëntë pikë. Zvicra udhëheq me 11 pikë, ndërsa Izraeli është i treti me tetë pikë. Bjellorusia dhe Kosova kanë mbetur më prapa, me nga vetëm katër pikë. Ndërkohë Andorra i ka vetëm dy pikë nga pesë ndeshje.
Në Prishtinë, më 16 qershor, Kosova e Rumania kishin luajtur pa gola. Në Bukuresht rumunët kërkojnë pikët e plota. Por edhe Kosova udhëton e motivuar pas barazimit dramatik me Zvicrën.
Selektori rumun, Iordanescu, ka vlerësim pozitiv për Kosovën.
“Të gjitha ndeshjet janë të rëndësishme. Kosova u kthye ndaj Zvicrës, mori pikë. Kosova ka lojtarë me nivel shumë të mirë. Neve na duhet më shumë kurajë. Ndaj Kosovës na duhet një rezultat pozitiv”, ka thënë Iordanescu.
Pritet që Rumania të sulmojë me të gjitha forcat. Presioni te rumunët sa shkon e rritet dhe kjo mund të shkojë edhe në favor të Kosovës.