Dy ura të vogla në Mitrovicë, njëra për automjete dhe tjetra për këmbësorë, janë duke u ndërtuar me një kosto prej 3 milionë eurosh. Në pamje të parë, duket si një investim modest, por kur sheh se vetëm për devijimin e përkohshëm të lumit janë ndarë 200 mijë euro, për pastrim terreni 150 mijë euro dhe për “dokumentimin e projektit” edhe 75 mijë euro të tjera, kostoja fillon të marrë formën e një ndërtese luksoze dhe jo e një infrastrukture publike. E gjithë paramasa është e mbushur me pozicione me çmime të larta, lemë të shtrenjta, shkruan Demokracia.com.

Ministria e Infrastrukturës ka vendosur të ndërtojë dy ura në Mitrovicë, një për automjete dhe një për këmbësorë, me një kosto të përgjithshme prej gati 3 milionë euro. E kur analizohen pozicionet teknike në paramasë, krijohet përshtypja se është ndërtuar një urë në ndonjë zonë të prekur nga cunami, jo në Mitrovicë.

Bazuar në kontratën që e ka parë Demokracia.com, vetëm devijimi i përkohshëm i një lumi në Mitrovicë kushton 200 mijë euro. Dhe ky është vetëm fillimi i një liste pozicionesh të çuditshme në projektin për ndërtimin e dy urave, një për automjete dhe një për këmbësorë, që kanë përfunduar me një faturë totale prej gati 3 milionë euro.

Nga dokumentet që ka siguruar Demokracia.com, pozicionet e paramasës për këtë projekt duken goxha të larta nga “matjet gjeodezike” me çmim 50 mijë euro, deri te “projekti final” që dokumenton se çka është ndërtuar, për të cilin janë ndarë 75 mijë euro. Madje edhe për të pastruar terrenin dhe për të larguar humusin janë planifikuar 150 mijë euro, sa për të blerë një truall të ri në periferi të kryeqytetit.

E gjithë kjo paketë ndërtimi nuk kaluar pa zhurmë e që është realizuar përmes një procedure të negociuar pa publikim, që ligjërisht lejohet vetëm në raste të jashtëzakonshme. Por, në këtë rast, nuk ka as emergjencë, as rrezik, as ndonjë karakteristikë teknike që do ta justifikonte shmangien e një tenderi të hapur. Tashmë prokuroria ka nisur hetimet lidhur me tenderin.

A e dini sa kushton një devijim i vogël i lumit?

Vetëm për përgatitjet fillestare për ndërtimin e urës për automjete në Mitrovicë janë ndarë:

200,000 € për devijimin e përkohshëm të lumit;

50,000 € për matje gjeodezike dhe piketim;

150,000 € për pastrimin e terrenit;

75,000 € për dokumentimin final të projektit.

Totali i punëve përgatitore: 475,000 euro.

Gërmime dhe mbushje që mbushin xhepat

Në kapitullin e “punëve të dheut” gjenden edhe pozicione që duken të rënda më shumë në faturë sesa në realitet:

Gërmimi i dheut: 136 mijë euro.

Mbushja me zhavor në disa shtresa dhe teste laboratorike: 92 mijë euro.

Mbjellja e barit dhe rregullimi i skarpatave: 2,800 euro.

Totali i këtij segmenti: 228,516 euro.

Betoni i artë

Vetë ndërtimi me beton duket si atraksioni më i shtrenjtë. Ura automobilistike, vetëm për beton e armaturë kushton:

401,704 € për betonin;

389,844 € për armaturën.

Vetëm për këtë pjesë gati 800 mijë euro. Dhe këtu nuk po flasim për të gjithë projektin.

Ura për këmbësorë më e thjeshtë, por jo më e lirë

Edhe pse është më e vogël, ura për këmbësorë dhe rregullimi i pragut kapërderdhës kapin shifrën 965,415.50 euro:

50,000 € për projektin përfundimtar (prapë);

86,940 € për beton të fondamenteve;

163,620 € për betonin e kanaleve të shkarkimit;

211,575 € për armaturë;

Dhe, më pikantja, 31,725 € për pllaka graniti dekorative, sepse edhe këmbësorët meritojnë pak luks.

Në total 2,999,628.18 euro për dy ura, të ndërtuara në mënyrë të përshpejtuar, me tender me negocim, me arsyetime të diskutueshme ligjore dhe me një projekt që përfundon saktë në prag të zgjedhjeve lokale.

Related Posts