Vjen një moment kur më nuk e ke asnjë alternativë.
Koha kur e kupton se je vonuar të jesh ‘i mirë’.
E pa qenë ‘i mirë’ s’ke çare, sepse Albin Kurti e ka vendosur një standard të Ri në politikë që ta imponon ‘të jesh (apo të dukesh) i ndershëm’.
Deri dje, Kosova ka qenë e pushtuar nga soji më i korruptuar, më i pandershëm, më i paditur dhe nga hajnat më të tmerrshëm, që e kanë dhunuar Kosovën, si të ishte plaçkë e ‘fituar’ në luftë.
Dhe ky tmerr ka vazhduar dy dekada.
Pse ka vazhduar dy dekada?
Sepse, ka qenë mënyrë e jetës në Kosovë, ka qenë krejt normale të jesh hajn, kriminel, i paditur dhe i pamoralshëm!
Nëse shqiptarët nuk do ta konsideronin normale pushtetin e korruptuar nuk do ta kishin duruar kaq gjatë.
Tani që çdo gjë ka ndryshuar, partitë që e kanë shkatërruar Kosovën, e kanë shkatërruar edhe veten.
Se kështu shkon kjo punë.
Nga pozita inferiore ku gjendet, LDK nuk funksionon.
Sepse, ata janë mësuar ‘të fitojnë’ pushtet gjithmonë, pa punuar kurrë asgjë.
Që s’kanë punuar kurrë, tregon fakti se as nuk janë takuar mes vete (veç pesëshja që e kanë shfrytëzuar partinë).
Në LDK asgjë nuk ka ndryshuar për të mirë.
Që Isa Mustafa nuk ishte i vetmi ‘fajtor’ për degradimin e LDK-së, po e shihni edhe vetë.
Pas Isa Mustafës, kanë filluar të ‘hahen’ mes vete.
LDK është e ndarë, e përçarë, shahen mes vete publikisht, ndërsa kryetari Abdixhiku nuk është hijerëndë, që të përtoj dikush t’ia kthej fjalën.
Një zanat t’mirë e kish, të gjitha takimet i mban pas orës 14:00, kaq i vyer është.
(Dembelizëm tipik i LDK-së).
Tash në LDK, ka shumë Vjosa.
Aq shumë ‘Vjosa’ kanë marrë guxim të shfaqen pas ‘largimit’ të Isa Mustafës, sa duket sikur Isa Mustafa ka gabuar që ka ikur.
Me ‘Pas meje-kijameti’, Isa Mustafa po dëshmon se ka edhe më ‘keq’ se Ai.
Sepse, për dallim nga Abdixhiku, atij së paku vetëm Vjosa guxonte t’ia kthente fjalën, derisa e përzuri, ose derisa Vjosa ia bëri punën ta dëbonte nga partia.
Çka mund të bëjë Abdixhiku për t’u dalluar nga PDK?
Duhet të bëjë diçka që nuk e pret askush nga shqiptarët, duhet të duket ‘i ndershëm, pa qenë i tillë, duhet të na befasojë.
Duhet ta bëjë një ‘boom’!
Këtë e mbërrin duke mos e imituar PDK-në dhe AAK-në.
Nëse nuk e voton Vjosën për Presidente, çka fiton LDK-ja?
A rritet?
A shtohet?
A ngjallet?
Jo.
Veç ia del të hakmerret ndaj Vjosës.
Ama, kur nisesh të hakmerresh që ka thënë filozofi ‘duhet t’i hapësh dy varre, njërin për veten’.
Ti mund t’i hakmerresh Vjosës që e ka ‘shkatërruar’ LDK-në, por me këtë hakmarrje e bën veten edhe më dëbues dhe edhe më të neveritshëm.
Çka ndodh nëse LDK e voton Vjosën presidente?
Na befason.
Dhe, që është kryesore, ua ndryshon mendimin për LDK-në qindra votuesve të Vjosës.
Pra, do të ishte mençuri e madhe, që vetëm duke qëndruar në sallë kur votohet Presidentja, pa pasur nevojë ta ngritësh dorën, të fitosh përnjëherë simpatinë e të gjithë këtyre shqiparëve që nuk lënë shibël të bie mbi të.
Pra, LDK nuk ka alternativë tjetër përveç ta votojë Vjosën.
Duhet ta pranoni.
Vjosa ka fituar, lëre që ju ka mundur, por ka lënë pas vete shumë Vjosa në LDK.
Cilën ‘Vjosë’ do ta ‘luftoni’ më parë?!
Ky degradim i LDK-së ndalohet vetëm duke ndryshuar.
Është mundësi ideale ta përmirësojnë gabimin e madh që e kanë bërë kur e kanë përzënë nga partia!
A e kisha votuar unë Vjosa Osmanin për Presidente?
Boll me përtesë, por Po.
Anipse, Presidenti për mua duhet të jetë më modest, dhe sidomos s’duhet të jetë me frymë n’fyt.
Nuk e kisha votuar me zemër (prej qejfi), por me mendje (prej zori), sepse është mençuri t’ia pranosh fituesit të madh, është mençuri e madhe ta pranosh realitetin.
Mua më kish mjaftuar fakti se e kanë votuar 300 mijë shqiptarë.
P.S. Mungesa e alternativave e pastron mendjen për mrekulli’ – Henry Kissinger.