Kandidatja për deputete nga Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK), Hatmane Sada, ka reaguar lidhur me situatën e krijuar nga reduktimet e energjisë elektrike dhe vonesat në ekzekutimin e subvencioneve për sektorin e bujqësisë.
Ajo ka vlerësuar se ndërprerjet e rrymës në mes të sezonit dimëror po ndikojnë drejtpërdrejt në punën e fermerëve dhe vreshtarëve, të cilët tashmë po përballen me vështirësi ekonomike. Sipas Sadës, mungesa e subvencioneve për vitin 2025 po e rëndon edhe më tej gjendjen financiare të këtij sektori.
Duke u bazuar në informacione jozyrtare, Sada ka paralajmëruar se ekziston rreziku që pagesat e subvencioneve të shtyhen deri në vitin 2026, gjë që, sipas saj, do të krijonte presion të shtuar nga kompanitë furnizuese dhe do të cenonte stabilitetin financiar të fermerëve.
Ajo ka kërkuar reagim institucional dhe përdorim të mekanizmave emergjentë për mbështetjen e sektorëve prodhues, duke theksuar se mosveprimi në këto rrethana ka pasoja të drejtpërdrejta në ekonominë reale të vendit.
Në këtë kuadër, kandidatja e LDK-së ka bërë thirrje për angazhim publik të kandidatëve për deputetë të zonës së Anadrinit, si dhe për reagim të shoqatave përkatëse të fermerëve dhe vreshtarëve. Ajo ka theksuar se nuk përjashtohet edhe organizimi i protestave në mungesë të zgjidhjeve konkrete.
Në fund, Sada u ka bërë apel kompanive private të tregojnë mirëkuptim ndaj fermerëve, duke nënvizuar se përgjegjësia për situatën aktuale, sipas saj, mbetet në nivel qeveritar.
























