Kandidatja për deputete nga radhët e LDK-së, Hatmane Sada (87), ka ngritur shqetësimin për vonesat në shpërndarjen e subvencioneve për vreshtarët dhe fermerët, duke theksuar se një pjesë e konsiderueshme e tyre ende nuk i kanë pranuar mjetet financiare që u takojnë.
Ajo ka bërë të ditur se është kontaktuar nga dhjetëra vreshtarë e fermerë, të cilët për shkak të mungesës së subvencioneve janë detyruar të hyjnë në borxhe, ndërsa tashmë po përballen me presion të madh nga kompanitë ku janë furnizuar me preparate bujqësore.
Sipas Sadës, kjo situatë po e rëndon tej mase një kategori tashmë të ndjeshme, ndërsa institucionet përgjegjëse po dështojnë në përmbushjen e obligimeve të tyre. Ajo ka theksuar se subvencionet nuk janë favor apo lëmoshë, por e drejtë ligjore e vreshtarëve dhe fermerëve.
Në reagimin e saj, kandidatja e LDK-së ka kërkuar që pagesat të kryhen urgjentisht për të gjithë përfituesit e mbetur, duke shtuar se nuk ka më vend për vonesa dhe arsyetime.
Hatmane Sada (numri 87 në listën e LDK-së) ka theksuar se zgjidhja e këtij problemi është detyrë bazike e institucioneve dhe se neglizhenca ndaj sektorit bujqësor po prodhon pasoja të rënda ekonomike për shumë familje në Kosovë.
























